Botë

Imuniteti i Ballukut, Kuvendi nuk e miratoi kërkesën e Prokurorisë

12.03.2026 14:18

Kuvendi nuk ia dorëzoi Belinda Ballukun SPAK-ut...

Kuvendi nuk ia dorëzoi Belinda Ballukun SPAK-ut. Me 82 votat pro të socialistëve e të PSD-së dhe 47 votat kundër të opozitës, Kuvendi rrëzoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres, e pandehur për shkelje të barazisë në tenderë. Hetimi ndaj saj do të vijojë në gjendje të lirë dhe vetëm me masën e ndalimit të daljes jashtë shtetit, pavarësisht kërkesës së opozitës.
 
“Imuniteti procedural nuk duhet dhe nuk mundet të shndërrohet në pengesë për drejtësinë. Nëse pranohet e kundërta, në mënyrë të dukshme Kuvendi tejkalon kompetencën e tij dhe uzurpon kompetencën gjyqësore. Demokracia përballet me një rrezik flagrant. Kuvendi ka vetëm një detyrë, të sigurojë që deputeti të mos jetë peng i ndikimit politik, për shkak të veprimtarisë së tij parlamentare. Në gjykimin tim jo vetëm kushtetues, por edhe moral që kur ta ngrini dorën të kujtoheni që përfaqësoni 4.7 milionë shqiptarë që presin që ky parlament t’i përfaqësojë në mënyrë dinjitoze.”, - deklaroi deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi.
 
Socialistët i qëndruan argumenteve se nuk ka asnjë arsye pse Balluku duhej arrestuar dhe se hetimi nuk preket.
 
“Kjo çështje e cila duhej të mbetej vetëm që i takon drejtësisë, është shndërruar sot në një gjykim publik, tribunal mediatik, që bie ndesh me standardet e shtetit të së drejtës dhe me prezumimin e pavarësisë. Është që kuvendi të flasë shumë qartë, të ndajë faktet nga politika, zhurmën nga procesi i rregullt ligjor. Masat janë respektuar plotësisht, akuza mbetet po e njëjtë, nuk ka akuzë për pengim të drejtësisë dhe mbetur në këto rrethana në respekt të këtij kuadri ligjor dhe kushtetues, i sugjerojmë sot këtij kuvendi rrëzimin e kërkesës së SPAK-ut për zëvendësimin e masës së sigurisë për Belinda Ballukun, mosdhënien e këtij autorizimi pas nga shqyrtimi i rrethanave nuk rezulton të jetë evidentuar domosdoshmëria e vendosjes së një mase të tillë.”, - theksoi deputeti i PS-së, Ulsi Manja.
 
Pas seancës Berisha dhe deputetët iu drejtuan protestës së opozitës, e cila ndryshe nga herët e tjera shkoi shumë qetë. Protesta e radhës u njoftua për më 22 mars.
 
LULJETA NDOKA