Botë

Lufta në Lindjen e Mesme, vazhdon rritja e çmimit të naftës

12.03.2026 14:41

Vazhdojnë sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit....

Vazhdojnë sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit. Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga pikat kryesore të konfliktit. Ndërkohë, Teherani si përgjigje ndaj këtyre sulmeve ka shënjestruar cisternat e naftës në Gjirin Persik. Kjo ka tronditur sërish tregjet globale, pasi çmimi i naftës është rritur përsëri në mbi 100 dollarë për fuçi, pavarësisht marrëveshjes ndërkombëtare për lirimin e rezervave strategjike. Komanda ushtarake e Iranit ka paralajmëruar se bota duhet të jetë e përgatitur që nafta të arrijë 200 dollarë për fuçi.
 
Trampi shpalli fitore ndaj Iranit, çështje kohe kur do të ndalen sulmet
 
Presidenti amerikan Donald Tramp ka thënë se është vetëm çështje kohe kur do të përfundojë lufta, ndërsa shpalli “fitore” ndaj Iranit. Ai njëherësh e përshëndeti vendimin e agjencisë së energjisë për lirimin e rezervave globale, që do të çojnë në uljen e çmimit të naftës.  
 
“Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka rënë dakord të koordinojë lirimin e një sasie rekord prej 400 milionë fuçi naftë nga rezerva të ndryshme kombëtare në mbarë botën, gjë që do të ulë ndjeshëm çmimet e naftës, ndërsa i japim fund këtij kërcënimi. Duhet ta përfundojmë punën apo jo? Gjatë ditëve të fundit ushtria jonë praktikisht e ka shkatërruar Iranin. Ne fituam, gjithçka përfundoi që në orën e parë. Është vetëm çështje kohe kur do të ndalemi.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
 
Makron: Të rritet prodhimi i naftës
 
Qarkullimi i anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit është reduktuar ndjeshëm, duke vënë në rrezik rreth 20 për qind të furnizimit global me naftë dhe gaz. Udhëheqësit e G7 paralajmërojnë masa për rritjen e prodhimit dhe stabilizimin e tregut. 
 
“Do të ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme për të nxitur prodhimin maksimal nga të gjithë prodhuesit gjatë kësaj periudhe dhe për t’u përballur me pasojat e kësaj lufte.”, - theksoi presidenti i Francës, Emanuel Makron.
 
Teherani ka intensifikuar sulmet ndaj rrugëve të transportit të naftës. Në Gjirin Persik janë goditur me dronë dy anije të huaja, ndërsa sulme janë raportuar edhe ndaj objekteve energjetike në vendet fqinje. Një depo karburanti është përfshirë nga flakët në Oman dhe Bahrein, ndërsa Arabia Saudite njofton se ka rrëzuar disa dronë mbi fushat e saj të naftës. Katari akuzon Iranin se janë goditur edhe objektiva civile.
                                                                     
“Rajoni ynë po kalon rrethana të vështira për shkak të përshkallëzimit të vazhdueshëm ushtarak, i cili ka prekur edhe Katarin me sulme të përsëritura nga Irani. Këto sulme nuk janë kufizuar vetëm në objektiva ushtarake, por kanë goditur edhe objektiva civile.”, - theksoi kryeministri i Katarit, Mohamed bin Abdulrahman al Than.
 
Izraeli vazhdon sulmet në Liban, 16 të vrarë
 
Sulmet amerikano-izraelite kanë goditur edhe Libanin. Të paktën 16 persona kanë humbur jetën si pasojë e bombardimeve. Autoritetet ushtarake izraelite thonë se operacionet janë pjesë e strategjisë për të rritur presionin ndaj grupeve ne rajon që janë te lidhura me Iranin.
 
“Përpjekja për të zgjeruar sulmet në shumë zona të vendit është një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj dëmit të madh dhe presionit që po ushtrojmë mbi ta, dhe ky presion po rritet çdo ditë. Ne po godasim ‘kokën e oktapodit’ në Iran, ndërsa krahu i tij në Liban po vuan. Duke e goditur në Liban, ne e dobësojmë atë, dhe duke goditur Iranin e dobësojmë edhe më shumë.”, - u shpreh zëdhënësi i Ushtrisë Izraelite, Effi Defrin.           
                                      
Ndërkohë, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë që i kërkon Iranit të ndalojë menjëherë sulmet ndaj vendeve të Gjirit. Bahreini e cilësoi situatën si çështje me rëndësi për stabilitetin global dhe sigurinë energjetike. Shtetet e Bashkuara dënuan veprimet e Teheranit, ndërsa Rusia dhe Kina abstenuan gjatë votimit. Nga ana tjetër, Irani e kritikoi ashpër rezolutën, duke e cilësuar si të motivuar politikisht dhe duke theksuar se ajo injoron sulmet e mëparshme kundër territorit iranian.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU