Maqedoni

Reagime pas deklaratës së Kostadinovskit, VLEN: Gjuha shqipe është detyrim kushtetues

12.03.2026 14:53

Deklarata e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese ka shkaktuar reagimin e partive politike shqiptare....

Deklarata e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, se SMS porositë nga sistemi “Qyteti i Sigurt” duhet të jenë vetëm në maqedonisht dhe anglisht, pasi të gjithë qytetarët e vendit e kanë për obligim ta njohin gjuhën maqedonase kanë shkaktuar reagimin e partive politike shqiptare. Nga koalicioni VLEN thonë se, edhe pse si parti politike përpiqen të respektojnë parimin që vendimet e Gjykatës Kushtetuese të mos komentohen, nuk mund të shmangin reagimin për mënyrën se si, sipas tyre, po trajtohet kjo çështje.
 
“Kur shteti njofton, paralajmëron apo ndëshkon qytetarin përmes sistemit “Qyteti i Sigurt”, ai ka për detyrë ta bëjë këtë edhe në gjuhën shqipe. Kjo nuk është çështje vullneti politik, por detyrim kushtetues dhe respektim i një të drejte themelore, të cilën VLEN do ta mbrojë me të gjitha mjetet juridike dhe institucionale.”, thuhet në reagimin e VLEN-it. 
 
BDI: Pasojë e qeverisjes së VLEN-it
 
BDI, ndërkohë vlerëson se deklaratat e fundit nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese nuk është një incident i izoluar, por pasojë e drejtpërdrejtë e përfaqësimit të dobët të shqiptarëve në Qeveri. BDI thekson se kur në Qeveri ke një VLEN të nënshtruar, atëherë forcat antishqiptare ndihen të inkurajuara dhe të fuqizuara. 
 
“Në vend që të mbrojnë të drejtat kushtetuese dhe arritjet e Marrëveshjes së Ohrit, përfaqësuesit e VLEN-it në Qeveri kanë zgjedhur heshtjen dhe servilizmin. Kjo heshtje po interpretohet si leje për të sulmuar gjuhën shqipe, për të relativizuar barazinë dhe për të minuar themelet e shtetit multi-etnik.”, theksojnë nga BDI. 
 
ASh-Sela: Urgjentisht badinter në kushtetuese
 
ASh-ja e Ziadin Selës vlerëson se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është edhe një rast tjetër ku majorizohen shqiptarët, ndërsa shërben si konfirmim për nevojën urgjente për vendosjen e parimit të Badinterit. 
 
“Aleanca për Shqiptarët dhe kryetari Ziadin Sela, si të parët që ngritën këtë çështje në opinion, ju bëjnë thirrje të gjitha subjekteve politike shqiptare në veçanti, që urgjentisht të ndërmarrim veprime konkrete për arritjen e këtij mekanizmi shumë të rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave kushtetuese të shqiptarëve, të cilat rrezikohen nga institucioni më i lartë kushtetues.”, theksojnë nga ASh-ja e Ziadin Selës. 
 
Nga ASh-ja e Arben Taravarit kanë thënë se kur në krye të Gjykatës Kushtetuese ndodhet një person që vepron “me instinkte dhe jo me përgjegjësi institucionale”, interpretimi i Kushtetutës rrezikon të kthehet në një akt arbitrar. Ndërsa Bekim Fazliu nga Lëvizja “Arbëria”, ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese po shndërrohet në burim të krizës.  
 
“Para vitit 2001, burim i krizës në Maqedoni ishte Kushtetuta. Pas vitit 2001, burim i krizës po paraqitet Gjykata Kushtetuese. Për ta kuptuar këtë realitet, mjafton të kujtojmë shprehjen e Arbër Xhaferi: “Në Maqedoni, çfarë të lejon Kushtetuta, ta pamundëson ligji; çfarë të lejon ligji, ta pamundëson një administrator i thjeshtë maqedonas kur shkon ta realizosh një të drejtë qytetare.”. Sot këtij paradoksi i është shtuar edhe një tjetër, edhe më absurd: Në Maqedoni, çfarë të lejon Kushtetuta, ta pamundëson Gjykata Kushtetuese.”, thekson Fazliu. 
 
Përndryshe në seancën e së mërkurës, Gjykata Kushtetuese me shumicë votash hodhi poshtë tërësisht iniciativat të cilët kontestonin sistemin “Qyteti i Sigurt”, sidomos për përfshirjen e tij vetëm në tre qytete, por edhe detyrimin që qytetarët të posedojnë celular dhe e-mail. 
 
ERSAN PAJAZITI