Maqedoni

LSDM: Mickoski po i manipulon rreth integrimit në BE

12.03.2026 15:15

LSDM-ja opozitare ka kritikuar VMRO-DPMNE-në dhe liderin e saj...

LSDM-ja opozitare ka kritikuar VMRO-DPMNE-në dhe liderin e saj, Hristijan Mickoski, për, siç thanë politikat dëshpëruese dhe humbëse të cilat po i zbatojnë në kurriz të popullit të Maqedonisë, në lidhje me procesin euro-integrues. Sipas Bogdanka Kuzevska nga LSDM, Hristijan Mickoski ka gënjyer popullin e Maqedonisë për çështjen e ndryshimit të emrit të shtetit, ndërsa tani po vazhdon t’i gënjejë, për sa i përket rrugës integruese të vendit tonë në BE. 
 
“Fjalët e Mickoskit nuk janë asgjë. Siç gënjeu për çështjen e emrit, tash po na gënjen për BE-në. Përralla e tij e imagjinuar për anëtarësim në BE pa të drejtë të votës tanimë ra poshtë. Komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, paralajmëroi për ndikimin rus dhe se BE-ja nuk ka vend për “Kalin e Trojës”. Sot Maqedonia është po ajo, kemi një zëvendëskryeministër i cili ka takime të vazhdueshme me ujqit e Putinit dhe parave Kineze. Por qytetarët e Maqedonisë e dinë se perspektiva evropiane është e kapshme dhe reale, por Mickoski po e fut Maqedoninë në një izolim total. Ai vetëm po na gënjen se dëshiron integrim në BE, por në realitet ai nuk dëshiron në BE, por dëshiron izolim.”, - theksoi Bogdanka Kuzeska nga LSDM.
 
VMRO-DPMNE: LSDM po tenton ta manipulojë opinionin
 
Kanë reaguar nga VMRO-DPMNE, sipas së cilës, LSDM-ja po e manipulon opinionin edhe kur ka demant nga BE-ja. 
 
“Ashtu siç gënjyen për migrantët nga Mbretëria e Bashkuar, për çka morën edhe demant publik nga ambasadori britanik, kështu vazhdojnë të gënjejnë edhe për BE-në. Për përhapësit e gënjeshtrave në LSDM erdhi edhe një demant tjetër për gënjeshtrat e tyre. Duke dashur të imponojnë narrativin se Bashkimi Evropian është kundër Maqedonisë dhe se eurokomisionerja për Zgjerim, Marta Kos, e cila paralajmëroi për ndikime të Rusisë dhe se për to nuk ka vend në union, mendon ekskluzivisht për Maqedoninë. Edhe një gënjeshtër e madhe dhe e bujshme që LSDM dëshiron t’ua shesë qytetarëve maqedonas, për çka edhe nga eurokomisionerja erdhi përgjigjja se ajo deklaratë nuk i referohej Maqedonisë, por kishte folur në përgjithësi për të gjithë kandidatët.”, thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së. 
 
Sipas VMRO-DPMNE-së, lidhur me ndikimin rus në vend, ishte pikërisht LSDM-ja, e cila në kohën e tyre në pushtet, i dhanë shtetësinë maqedonase një oligarku rus të afërt me Putinin, tani i dënuar me 15 vjet burg për korrupsion dhe pastrim parash në Ukrainë, Aleksandar Onishçenko, ndërsa një kompani në pronësi të konsullit bjellorus, Borçe Markovski, e shpërblyen me tenderë shtetërorë për vite me radhë.
 
FITIM KRYEZIU