Maqedoni
Agjencia për Zbatimin e Gjuhës, reagim ndaj deklaratës së Kostadinovskit
13.03.2026 11:11
Agjencia për Zbatimin e Gjuhës ka reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Kostadinovski....

Edhe Agjencia për Zbatimin e Gjuhës ka reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Kostadinovski.
“Agjencia e Zbatimit të Gjuhës është e udhës të reagojë si vijon: Mbase është e vërtetë se në Ligjin e Përdorimit të Gjuhëve, neni 1, thuhet se gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik, të cilin e citon kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski. Por, krahas kësaj, ai nuk e citoi edhe paragrafin e dytë të këtij neni ku, po ashtu, thuhet se gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve (gjuha shqipe) gjithashtu është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, në pajtim me këtë ligj. Prandaj, Agjencia e Zbatimit të Gjuhës konsideron se ky qëndrim i tij është i njëanshëm, tendencioz dhe kundër gjuhës shqipe. Gjykata Kushtetuese si institucioni më i lartë shtetëror juridik duhet të jetë mbrojtëse e ligjit dhe jo shpërfillëse e tij. Për fat të keq, në këtë rast ajo u tregua selektive dhe shpërfillëse, bashkë me kryetarin e saj, duke e injoruar e anashkaluar gjuhën shqipe dhe përdorimin e saj zyrtar. Kjo gjykatë duhet t’i tejkalojë paragjykimet dhe tendencat për sa i përket përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe dhe të marrë qëndrime të drejta, si dhe të prononcohet në pajtim me ligjin, përndryshe nuk do të jetë në harmoni me kushtetutën dhe ligjet, si dhe nuk do të kontribuojë në aspektin e zbatimit ligjor të gjuhëve zyrtare. Megjithatë, krahas maqedonishtes, edhe gjuha shqipe është zyrtare në RMV.”, thuhet në reagimin e Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës.
