Botë

Mitrovicë, nisin ceremonitë për rivarrosjen e Isa Boletinit

05.06.2015 17:18

Eshtrat e heroit kombëtar, Isa Boletinit, dhe bashkëluftëtarëve të tij kanë arritur tashmë në Mitrovicë...

Eshtrat e heroit kombëtar, Isa Boletinit, dhe bashkëluftëtarëve të tij kanë arritur tashmë në Mitrovicë, të përcjella nga qindra qytetarë që i dhanë kështu respektin e thellë heroit tonë kombëtar gjatë rrugës për në banesën e fundit pas 100 vitesh nga vdekja e tij.
 
Familja ia ka dorëzuar eshtrat Armatës së Kosovës dhe sonte ato do të qëndrojnë në Mitrovicë.  
 
Familjarët shprehen të gëzuar që më në fund po realizohet rivarrimi i heroit me ceremoni shtetërore dhe që Isa do të pushojë në vendlindjen e tij.
 
Edhe pse pas 100 viteve, familjarët dhe e gjithë Kosova është e lumtur që më në fund heroi po kthehet në vendlindjen e tij.
 
Aktivitetet në lidhje me rivarrimin e eshtrave të Isa Boletinit kanë filluar dje dhe do të vazhdojnë deri më 10 qershor. 
 
Një nga aktivitetet finale do të mbahet më datën 9 qershor, në orën 15:00, ku do të bëhet pritja e eshtrave të Isa Boletinit nga Këshilli Organizativ i Mitrovicës dhe do të përcillen nga kalorësit gjatë tërë lëvizjes në qytet.
 
Ndërsa me datën 10 qershor do të mbahet ceremonia e fundit, do të bëhen homazhe para arkivolit të Isa Boletinit për të pasuar me ceremoninë përmbyllëse në stadiumin e qytetit dhe prej aty në fshatin Boletin, ku do të bëhet ceremonia e rivarrimit.