Maqedoni
Provimi i jurisprudencës në shqip, BDI: Nuk është problem i trashëguar
13.03.2026 14:46
BDI ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit lidhur me çështjen e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe...

BDI ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit lidhur me çështjen e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke e cilësuar atë si përpjekje për shmangie të përgjegjësisë institucionale. Integristët thonë se deklarimi i kryeministrit se bëhet fjalë për një “problem të trashëguar” nuk qëndron, pasi, sipas tyre, bëhet fjalë për një të drejtë që buron drejtpërdrejt nga Kushtetuta dhe nga Ligji për përdorimin e gjuhëve.
“Deklarata e Kryeministrit se çështja e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe është ‘problem i trashëguar’ është një përpjekje për të shmangur përgjegjësinë për moszbatimin e një të drejte që buron drejtpërdrejt nga Kushtetuta dhe nga Ligji për përdorimin e gjuhëve. Gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ky nuk është interpretim politik, por realitet kushtetues dhe ligjor që duhet të respektohet nga çdo institucion shtetëror.”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Mickoski: Punojmë për gjetjen e zgjidhjes
Ditë më parë kryeministri Hristijan Mickoski në një intervistë në ORA 24 është shprehur se problemi me gjuhët për provimin e jurisprudencës është problem i trashëguar dhe se BDI i ka gënjyer shqiptarët me ligjin e gjuhëve.
“Ligji për gjuhët është ligj i përgjithshëm ose në drejtësi “lex generalis”. Ligji për dhënien e provimit të jurisprudencës është ligj special ose “lex specialis”. Nuk mundet që në mënyrë automatike me “lex generalis”, të mbisinkronizoni “lex specialis”. Problemi i dytë është se zotërinjtë që e miratuan Ligjin për gjuhët i mashtruan shqiptarët dhe këta të rinj që tani po protestojnë. Pse i mashtruan? Sepse në mënyrë të qartë në mendimin e Komisionit të Venecias thuhet se duhet të braktiset bilinguizmi në sistemin gjyqësor.”, është shprehur kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski.
Në Qeveri është formuar një grup pune që po punon dhe analizon nëse është e mundur ligjërisht dhe sipas Kushtetutës që dhënia e provimit të jurisprudencës të ndahet nga gjykimi brenda sistemit gjyqësor të shtetit. Sipas Mickoskit, nëse me metodologji pranojmë që maqedonishtja është gjuha që do të mbizotërojë sistemin gjyqësor, atëherë zgjidhja për provimin e jurisprudencës do të jetë e shpejtë.
MERAL ISMAILI
