Ekonomi
Protesta të LSM-së për rritjen e pagave, Trendafillov: Po jetojmë në varfëri
13.03.2026 14:56
Pagë minimale 600 euro dhe rritje prej 6.000 denarësh për të gjitha pagat...

Pagë minimale 600 euro dhe rritje prej 6.000 denarësh për të gjitha pagat. Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë do të organizojë protesta për këto kërkesa. Sindikata arsyeton kërkesën me rritjen e kostos së jetesës dhe i ka ftuar qytetarët nga të gjitha qytetet e vendit që nesër të vijnë në Shkup, ku protesta do të fillojë në mesditë para ndërtesës së LSM-së.
“Kërkesat për rritjen e pagës minimale për 200 euro është e arsyeshme, sepse punëtorët në Maqedoni po zhyten në varfëri. 160 mijë punëtorë, sipas të dhënave të DAP-it kanë pagë nën pragun e varfërisë apo nën 31.200 denarë. Ne jetojmë si punëtorë të varfër me shefa të pasur dhe akoma më shumë të pasur në Qeveri.”, - deklaroi kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafillov.
VMRO-DPMNE: LSM-ja, dorë e zgjatur e LSDM-së
Reagojnë nga VMRO-DPMNE, duke thënë se protesta e LSM-së është me motive politike. Sipas VMRO-së, LSDM e koordinon dhe e menaxhon LSM-në, si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal.
“Përgjegjës për logjistikën dhe organizimin e njerëzve dhe transportit për protestën e LSM-së këtë fundjavë, nga Kumanova, është Oliver Trajkovski – shef i shtabit të LSDM-së në lagjen Zelen Rid, si dhe i punësuar në NP “Pastërtia dhe Gjelbërimi” në Kumanovë. Në fotografi e shohim Oliver Trajkovskin, i cili është fotografuar me kandidatin për kryetar të Komunës së Kumanovës nga LSDM-ja, Oliver Ilievski, si dhe me bartësen e listës Atina Murgashanska, për zgjedhjet lokale të vitit 2021.”, - theksoi Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.
Për shkak të protestave, nesër do të mbyllen disa rrugë. MPB-ja ka bërë thirrje që qytetarët të respektojnë urdhrat policore.
ERSAN PAJAZITI
