Maqedoni

Rritja e çmimeve të naftës, përplasen pushteti dhe opozita

13.03.2026 15:05

Dy partitë opozitare, LSDM dhe BDI, kanë akuzuar Qeverinë se dëshiron të përfitojë në kurriz të qytetarëve....

Dy partitë opozitare, LSDM dhe BDI, kanë akuzuar Qeverinë e vendit dhe kryeministrin Hristijan Mickoski, se në vend që të miratojë masa që do t'i mbronin qytetarët nga tronditjet e çmimeve nga rritja e çmimeve të karburanteve, ai dëshiron të përfitojë në kurriz të qytetarëve. Lideri i opozitës maqedonase, Venko Filipçe, në një intervistë dhënë për mediat e vendit ka theksuar se me rritjen e çmimeve të derivateve të naftës po rriten çmimet edhe të produkteve ushqimore.   
 
“Kur çmimi i naftës në bursat botërore bie, siç ndodhi në fillim të javës, kur varionte nga 84 deri në 86 dollarë për fuçi, që është më lirë krahasuar me çmimin prej 96 eurosh javën e kaluar, nëse rregullorja e vjetër do të ishte në fuqi, Komisioni për Energjetik do ta kishte ulur çmimin e karburanteve. Tani, për shkak të vendimeve të tilla të dëmshme, qytetarët kanë paguar derivate më të shtrenjta gjatë gjithë javës.”, - deklaroi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
 
Kanë reaguar edhe nga BDI. Sipas tyre, heshtja e institucioneve përballë këtij fluksi të shtrenjtimeve, është për t’u habitur, teksa propozojnë masa konkrete. 
 
“Në një situatë të tillë institucionet duhet të reagojnë me masa konkrete për stabilizimin e tregut dhe mbrojtjen e fuqisë blerëse të qytetarëve. Si masa të menjëhershme, nga kjo parti propozojnë: rritje lineare të pagave prej 3.500 denarë, duke filluar me pagat e muajit mars; ngrirje të përkohshme të çmimeve për produktet bazë ushqimore; aktivizimin e rezervave shtetërore të naftës, të cilat janë blerë me çmim më të ulët se 70 denarë për litër.”, thuhet në komunikatën e BDI-së. 
 
Por, kryeministri Mickoski theksoi se Qeveria është duke punuar në këtë drejtim dhe së shpejti pritet ulja e çmimeve të derivateve të naftës.
 
“Lajmi i mirë për qytetarët e Maqedonisë është se kompania “OKTA” ka vendosur që të gjitha kompanive të cilat pajisen me derivate të naftës nga “OKTA” do t’u bëjë një lirim të njëjtave diku rreth 45 deri në 50 dollarë për një tonë. Kjo nënkupton diku lirim për 2.5 denarë për litër. Pastaj, gjatë takimit që kisha me pronarët e pompave të benzinës, më raportuan se atë lirim do ta përcjellin tek konsumatorët.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Sipas Mickoskit, RMV-ja dizelin do ta ketë me çmim prej 1 eurosh e 35 cent, ndërsa në Serbi dhe Shqipëri është rreth 1 euro e 80 cent, në Kosovë 1 euro e 50, ndërsa në vendet e BE-së një litër naftë e kemi mbi 2 euro.   
 
FITIM KRYEZIU