Maqedoni

Problemi me transportuesit, Nikolloski: Zgjidhja është lëshimi i vizave afatgjata

13.03.2026 15:17

Nikolloski ka bërë të ditur zgjidhjen e problemit me transportuesit....

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, ka bërë të ditur zgjidhjen e problemit me transportuesit. Sipas tij, zgjidhja për ta do të jetë në drejtim të lëshimit të vizave afatgjata të punës, të cilat nënkuptojnë qëndrim të rregulluar për të gjithë transportuesit tanë që hyjnë në zonën Shengen, pavarësisht nëse bëhet fjalë për transport me kamionë apo transport me autobusë.
 
“Zvicra tashmë lëshon viza të tilla për transportuesit e vendit tonë, Kroacia ka paralajmëruar se aktualisht është në procedurë ligjore për miratimin e një ligji përkatës në Saborin kroat, dhe ne po punojmë në koordinim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, si dhe në koordinim me kryeministrin që edhe disa shtete të tjera të shpallin viza të tilla për transportuesit maqedonas, gjë që do të nënkuptojë një zgjidhje të plotë të problemit.”, - deklaroi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikollovski.
 
Nikollovski theksoi se po bëhen përpjekje dhe se çdo të enjte mbahen takime në nivel teknik për zgjidhjen e këtij problemi.
 
“Unë flas për presionin tonë, jo vetëm nga Maqedonia, por edhe nga i gjithë rajoni. Komisioni Evropian publikoi para kohe strategjinë e vizave, çdo të enjte zhvillohen takime në nivel teknik ku marrin pjesë ekspertë nga Maqedonia dhe diskutohet për gjetjen e një zgjidhjeje. Shoh që shtetet fqinje po e shfrytëzojnë këtë në media, ndërsa ne vendosëm të jemi konstruktivë dhe të punojmë. Prandaj, edhe njëherë do të apeloj që ne të përqendrohemi në zgjidhjen e problemit tonë, ndërsa çfarë do të bëjnë Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina është çështje e tyre.”, - theksoi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikollovski.
 
Ai rikujtoi se sistemi hyn në fuqi në prill, ndërsa për transportuesit nga Maqedonia do të shtyhet deri në fund të shtatorit dhe deri atëherë, sipas tij, duhet të gjendet kjo zgjidhje.
 
ARMEND MURSELI