Botë

Zgjerohet konflikti në Lindjen e Mesme, Ngushtica e Hormuzit mbetet e mbyllur

13.03.2026 15:36

Sulmet amerikano-izraelite ndaj objektivave në Iran vazhdojnë me intensitet të lartë....

Sulmet amerikano-izraelite ndaj objektivave në Iran vazhdojnë me intensitet të lartë. Teherani kundërpërgjigjet me raketa dhe dronë kundër Izraelit dhe bazave ushtarake amerikane në vendet e Gjirit Persik. Konflikti përqendrohet gjithnjë e më shumë edhe në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë detare kyçe për tregtinë botërore të naftës. Tensionet gjeopolitike kanë tronditur tregjet botërore. Çmimi i naftës shënon rritje të shpejtë. Uashingtoni dhe aleatët bëjnë përpjekje për të siguruar lundrim të sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit, edhe pse Ajatollahu i ri thotë se rruga detare mbetet e mbyllur.
 
“Besoj se sapo të jetë ushtarakisht e mundur, marina amerikane, ndoshta edhe me një koalicion ndërkombëtar, do t’i shoqërojë anijet. Ne kemi kontroll të plotë mbi hapësirën ajrore. Ata nuk kanë forcë ajrore, marina e tyre është fundosur si në kuptimin literal ashtu edhe figurativ, ndërsa fabrikat e municioneve dhe kapacitetet për rindërtimin e raketave janë degraduar plotësisht. Pra, sapo të mund të sigurojmë një kalim të sigurt, do ta bëjmë.”, - deklaroi sekretari i Thesarit i ShBA-së, Skot Besent.
 
Në përpjekje për të ulur presionin mbi çmimet e energjisë, ShBA-ja për 30 ditë do t’i tërheqë sanksionet e vendosura për blerjen e naftës ruse. Nga administrata amerikane thonë se kjo nuk do të sjellë përfitime të mëdha financiare për Rusinë. Masa vlen vetëm për naftën që tashmë është në transit që nga 12 marsi.
 
“Po shohim veprime nga ana e Shteteve të Bashkuara, me qëllim stabilizimin e tregjeve të energjisë. Në këtë drejtim, interesat tona përputhen. Veprime të tilla, deri në një masë, do të kontribuojnë në stabilizimin e tregut, pasi pa sasi të konsiderueshme të naftës ruse, stabilizimi i tregut është pothuajse i pamundur.”, - theksoi zëdhënësi i presidentit rus, Dmitri Peskov.
 
Një valë e re e fuqishme sulmesh amerikano-izraelite ka goditur Teheranin, ndërsa operacionet ushtarake janë shtrirë edhe ndaj objektivave të Hezbollahut në Liban.
 
“Situata me Iranin po zhvillohet shumë shpejt. Po shkon shumë mirë. Ushtria jonë është e pakrahasueshme. Kurrë nuk ka pasur diçka të tillë. Ne po bëjmë atë që duhej të ishte bërë. Duhej të ishte bërë gjatë 47 viteve të fundit. Mund ta kishin bërë shumë njerëz të ndryshëm, por ata zgjodhën të mos e bënin. Ata janë një komb terrori dhe urrejtjeje dhe po paguajnë një çmim të madh tani.”, - u shpreh presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
 
Irani kundërpërgjigjet me sulme në Izrael dhe në vendet e Gjirit. Sirena alarmi janë dëgjuar edhe në bazën ajrore ”Ingjirlik” në juglindje të Turqisë, ku ndodhet një nga objektet kryesore ushtarake të NATO-s në rajon dhe janë të stacionuara edhe trupa amerikane. Ankaraja njoftoi se është kapur një raketë balistike iraniane. Gjithashtu gjatë një sulmi në Irak është vrarë një ushtar francez dhe disa të tjerë janë plagosur.
 
“Mendoj se të gjithëve, veçanërisht vendeve të rajonit, tashmë u është bërë e qartë se prania ushtarake amerikane në vendet e tyre nuk krijon siguri, por pasiguri. Ajo është bërë një barrë për ta, prish marrëdhëniet miqësore mes vendeve të rajonit dhe krijon përçarje.”, - deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei. 
 
Një avion ushtarak për furnizim me karburant është rrëzuar në Irak gjatë një operacioni kundër Iranit. Raportohet për viktima.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU