Rajon

Kurti: Kosova nuk ka nevojë për zgjedhje të reja

13.03.2026 15:56

Kosova nuk ka nevojë për zgjedhje të reja pasi vitin e kaluar kishte katër palë zgjedhje dhe qytetarët tani presin stabilitet institucional....

Kosova nuk ka nevojë për zgjedhje të reja pasi vitin e kaluar kishte katër palë zgjedhje dhe qytetarët tani presin stabilitet institucional. Kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sipas të cilit Gjykata Kushtetuese sa më parë duhet ta publikojë aktgjykimin lidhur me dekretin e presidentes për ta shpërndarë Kuvendin dhe Kuvendi të nisë me punë. 
 
“Qytetarët e republikës presin prej nesh stabilitet institucional e jo zgjedhje të përsëritura. Pra, nuk ka nevojë për zgjedhje të reja të përsëritura, ka nevojë që sa më parë ta kemi aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të fillojë Kuvendi të punojë, me qenë se mbi 120 milionë euro të marrëveshjeve të ndryshme ndërkombëtare na janë vonuar për shkak se nuk po punon Kuvendi i Republikës. Dhe, në anën tjetër zgjedhjet e reja do të kushtonin së paku 10 milionë euro.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
 
Kurti: Sërish do t’i ftoj liderët opozitarë në takim
 
Duke u shprehur i gatshëm për kompromis me opozitën, Kurti njëherësh paralajmëroi se do të ftojë për javën e ardhshme në takim liderët opozitarë. 
 
“Unë besoj se me krerët e partive opozitare duhet të takohemi dhe unë që sot do t’u dërgoj ftesa për t’u takuar në fillim të javës së ardhshme. Gjasa për konsensus përcaktohet vetëm nga të tjerët për shkak se gatishmëria jonë për konsensus është e plotë.”, - theksoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
 
Nëse Kosova do të shkojë në zgjedhje të reja apo jo do të vendos Gjykata Kushtetuese, e cila pritet të sjellë aktgjykim lidhur me dekretin e presidentes Vjosa Osmani Sadriu për shpërbërjen e Kuvendit, vendim i cili u ankimua nga Qeveria.  
 
GYLTENE SINANI