Maqedoni

Hahn: Skandali i përgjimeve nuk mund të injorohet

05.06.2015 17:35

Eurokomisari për zgjerim, Johanes Hahn, vlerëson se në Maqedoni ka krizë të thellë politike dhe politikanët duhet të ballafaqohen me të...

Marrëveshja e arritur të martën, është një hap i madh drejt zgjidhjes, vlerëson Hahn, duke shtuar se stabiliteti i Maqedonisë është i rëndësishëm jo vetëm për vendin, por për të gjithë rajonin.
 
Hahn është i vetëdijshëm se realizimi i marrëveshjes së arritur nga katër krerët e partive politike në vend kërkon kohë, mund dhe punë dhe kjo ishte arsyeja që u dakordua që zgjedhjet të mbahen në pranverë të vitit të ardhshëm.
 
Ekzistojnë disa paqartësi që duhet të përfundojnë, të modifikohet kodi zgjedhor, të rishikohet lista zgjedhore dhe disa elemente tjera. Mbikëqyrja që OSBE u bëri disa cikleve të fundit zgjedhore rezultoi me raport pozitiv, tha Hahn. 
 
“Unë jam plotësisht i ndërgjegjshëm rreth situatës aktuale në vend dhe kishte shumë diskutime mes opozitës dhe qeverisë për kohën më të përshtatshme për zgjedhjet e reja. Sigurisht ka nevojë për përgatitjen e mirë të tyre, ka disa defekte, duhet të ndryshojmë Kodin Zgjedhor, duhet të shqyrtojmë listat zgjedhore dhe disa elemente të tjera. Por, gjithashtu dua ta theksoj se zgjedhjet e fundit në vend, ashtu sikurse zgjedhjet e mëhershme, u monitoruan nga OSBE-ja dhe kishte një raport përgjithësisht pozitiv, natyrisht adresonte disa defekte, por përgjithësisht ishte raport pozitiv dhe këto zgjedhje u mbajtën vetëm në prill të vitit të kaluar”- deklaroi eurokomisari për zgjerim, Johanes Hahn.
 
Por, kriza aktuale politike rëndohet nga një aferë përgjimesh, që duhet të zgjidhet sa më shpejt përmes metodave juridike, ka deklaruar eurokomisari Hahn. Por, gjithsesi, sipas tij, opozita duhet të kthehet në parlament për të kontribuar në zgjidhjen e krizës.
 
“Ekziston një skandal i cili nuk mund të injorohet. Ekzistojnë 22 mijë incizime, që është skandal i madh dhe nuk mund të injorohet. Mos të flas për përmbajtjen e tyre. Unë jam i mendimit se duhet të ketë reaksion dydrejtimësh në këtë punë. Njëra është politike dhe për këtë kërkojmë që opozita të kthehet në parlament dhe të ballafaqohet me këtë çështje në mënyrë politike, përmes parlamentit, të ketë komisione hulumtuese etj. Por, në ndërkohë është vepër kriminale dhe  rasti duhet të zgjidhet sipas standardeve evropiane dhe ndërkombëtare”- tha eurokomisari për zgjerim, Johanes Hahn.
 
Megjithatë, Hahn gjithashtu ka theksuara përpara zyrtarëve  në  Uashington se nëse kriza nuk zgjidhet deri në fund të muajit qershor, Maqedonia, edhe pse gjashtë herë ka marrë rekomandim për fillimin e bisedimeve, mundet që në shtator të humb rekomandimin për fillimin e bisedimeve, respektivisht kur KE të shpall raport-progresin.
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU