Lindja e Mesme, SHBA sulmon qendrën për eksportin e naftës iraniane
Lufta në Lindjen e Mesme përshkallëzohet...

Lufta në Lindjen e Mesme përshkallëzohet gjithnjë e më shumë. Sipas raportimeve, pritet që Shtetet e Bashkuara të dërgojnë edhe më shumë marinsa dhe anije luftarake në rajon për të forcuar praninë ushtarake. Iraku është bërë arenë përplasjesh mes SHBA-së dhe Iranit.
Një raketë goditi përfaqësinë diplomatike amerikane në Bagdad, duke rritur tensionet në zonë. Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Shtetit u ka kërkuar disa punonjësve të tij të largohen nga Omani për arsye sigurie.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se lufta do të vazhdojë për aq kohë sa do të konsiderohet e nevojshme.
“Ata janë të dobësuar rëndë. Vendi i tyre është në gjendje të keqe, gjithçka po shembet. Disa nga lajmet e rreme thonë se ‘po u shkon shkëlqyeshëm’, por nuk është kështu – është krejt e kundërta. Po kalojnë periudhën më të keqe të mundshme. Nuk do t’ju jap një afat të saktë, por ushtarakisht jemi shumë përpara planit” – tha Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.
SHBA sulmuan objektiva ushtarake në ishullin iranian Kharg, ku u goditën një bazë ushtarake dhe një pistë avionësh.
Teherani kërcënoi se do ta shndërrojë në hi infrastrukturën energjetike dhe të naftës të kompanive që bashkëpunojnë me SHBA-në.
Irani vazhdoi gjithashtu sulmet edhe në Izrael. Forcat Mbrojtëse të Izraelit njoftuan se kanë shkatërruar një depo armësh të Hezbollahut në Liban. Ndërsa grupi militant thonë se janë të gatshëm për një luftë të gjatë.
“Ne nuk jemi shkaku i agresionit, ndaloni së menduari kështu. Agresioni izraelit dhe amerikan është arsyeja e asaj që po ndodh në Liban. Humbja dhe dorëzimi nuk janë në fjalorin tonë. Do të qëndrojmë të fortë në fushëbetejë pavarësisht sakrificave. Jemi gati të shkojmë deri në fund”. – deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i Hezbollahut, Naim Qaseem.
Pasiguria globale për furnizimin me naftë vazhdon të rritet. Megjithatë, Pentagoni thekson se Ngushtica e Hormuzit nuk do të mbyllet për shumë kohë.
Ndërkohë, Uashingtoni vendosi të pezullojë përkohësisht sanksionet ndaj dërgesave të naftës ruse për 30 ditë. OKB-ja ka shprehur shqetësim për qarkullimin e ndihmave përmes kësaj rruge të rëndësishme detare, duke paralajmëruar se çdo ndërprerje mund të rrezikojë furnizimet në shumë vende të botës.
“Çdo ndërprerje do të rrisë çmimet e ushqimit, ilaçeve dhe furnizimeve të tjera jetike, duke goditur më rëndë njerëzit më të cenueshëm në Lindjen e Mesme dhe më gjerë”. – u shprej Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric.
Po rritet gjithashtu shqetësimi për sulme të mundshme ndaj komuniteteve hebraike në botë pas sulmeve amerikano-izraelite në Iran. Herët në mëngjes një shpërthim dëmtoi një shkollë hebraike në Amsterdam.
Një incident i ngjashëm ndodhi edhe në Belgjikë, ku një shpërthim shkaktoi zjarr në një sinagogë në Liège. Më parë, një burrë i armatosur u përplas me makinë në sinagogën më të madhe në Detroit, në shtetin amerikan të Michiganit. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
