Ngecja në reforma, Bilalli: S’ka vullnet, pushteti defokuson me çështje tjera

15.03.2026 13:42

Politika zyrtare në Maqedoninë e Veriut...

Politika zyrtare në Maqedoninë e Veriut aktualisht nuk është destinuar ta shpenzojë energjinë te ngërçi i integrimeve evropiane, e që do t’i hapte rrugën edhe prosperitetit ekonomik, por këmbëngul të defokusohet në çështje tjera të brendshme.

Kështu vlerëson profesori universitar, Mersel Bilalli, i cili si tentime për defokusim mes tjerash numëron çështjen e gjuhës shqipe, emërimin e rrugëve në Tetovë dhe çështje të tjera të ngjashme.

Sipas tij, demonopolizimi ekonomik është reforma parësore që duhet të bëhet, më pas reformat në gjyqësor, administratë dhe organe tjera qendrore e lokale.

Shton se vendi ka mbetur në duart e disa oligarkëve, të cilët e kanë shndërruar shtetin në monopol dhe në kundërshtim jetësor me interesat e shoqërisë.

“Humbim kohë dhe biem pre e lojërave të cilët ato na i hudhin dhe na harxhojnë muaj të tëra. Mund të flasim sa të dëshirojmë se çka duhet të bëjmë. A mund të bëjnë dhe a duan të bëjë është çështje tjetër. Në qoftë se keni vullnet politik se duhet të bëni reforma, ato do t’i bëni, në qoftë se nuk keni vullnet, do të gjeni milionë arsye mos i bëni.” – tha Profesori universitar, Mersel Bilalli.

Mungesa e komunikimit me Sofjen, Bilalli: Çështjen e kemi me BE-në, jo bilateral

Duke folur për pengesën politike, që janë ndryshimet kushtetuese, Bilalli tha se duhet ta kuptojmë njëherë e përgjithmonë faktin që problemin nuk e kemi me Sofjen por me Bashkimin Evropian, pasi realisht, obligimet rrjedhin nga korniza evropiane.

“Tash e kemi problemin bilateral me Unionin Evropian, vendim i organeve qendrore i Unionit Evropian, që ju duhet t’i bëni ndryshimet kushtetuese. Ju ose ne e akceptuam në Parlament atë marrëveshje me 61 vota dhe tash me 2/3 duhet ta ndryshojmë kushtetutën, dhe, këtu askush nuk na ndihmon. Mendoj se edhe këtu mungon vullneti politik.” – u shpreh Profesori universitar, Mersel Bilalli.

Procesi eurointegrues ka mbetur peng i ndryshimeve të nevojshme kushtetuese për t’i futur bullgarët në aktin më të lartë juridik, proces i cili do t’i hapte rrugën mbajtjes së konferencës së dytë me BE-në dhe hapjes së grupkapitujve me Unionin. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)