Konsolidimi i VLEN në një parti, Nuhiu: I mundur, por me vështirësi

15.03.2026 14:39

Koalicioni VLEN drejt transformimit në një parti të vetme...

Koalicioni VLEN drejt transformimit në një parti të vetme. Procesi, pa korniza të definuara kohore, po përfshin Lëvizjen Demokratike, Lëvizjen Besa dhe Alternativën. Lëvizja Besa, e para morri vendimin për shkarkimin e kryesisë së partisë. Akti u pasua nga Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit. Alternativa ka shprehur mbështetje për idenë e partisë së përbashkët, por procesi i brendshëm është në zhvillim.

Ndërkaq mbetet e paqartë nëse Lëvizja Vetëvendosje do t’i bashkangjitet shkrirjes apo do të mbetet vetëm si mbështetje politike.

Krerët e VLEN janë shprehur optimist për mbylljen e procesit, pasi i kanë dakorduar edhe postet. Kryetari i LD-së Izet Mexhiti është shprehur se ai dhe Bilall Kasami do të jenë kryetarë të partisë. Nënkryetar do të emërohet Bekim Qoku, ndërkaq sekretar i përgjithshëm, Bekim Sali.

Politologu Qani Nuhiu në analizën e tij thotë se procesi është i mundur por mund të ketë vëzhtirësi në funksionimin homogjen të partisë.

“Çfarë partie mund të ndërtohet? Dmth, një parti klasike homogjene, apo një parti e cila do të ishte më pak e homogjenizuar, apo edhe në kuptimin formal të fjalës që do të lejonte edhe mundësinë e veprimit si fraksione brenda, për shkak se nga veprimet e partive se nuk janë të përgatitur të shkrijnë komplet identitetin e tyre në një parti të ardhshme politike që do të quhej VLEN. Si proces është i mundshëm, por nuk shkon pa vështirësi, edhe mund të krijohet një parti politike, e cila do të kishte sfida serioze në të ardhmen me kohezionin e brendshëm partiak.” – tha politologu, Qani Nuhiu.

Përfshirja e BDI-së në Qeveri, Nuhiu: I pamundur, ka antagonizma me VLEN

VLEN së bashku me VMRO –DPMNE-në dhe Lëvzijen “E Di” kanë një shumicë relativisht të fortë në kuvend prej 78 deputetësh. Por edhe përkundër gjëndjes faktike qarkullojnë zëra për përfshirjen e BDI-së në pushtet për të ruajtur stabilitetin e shumicës parlamentare.

Politologu Nuhiu nuk e sheh BDI-në në ekzekutiv.

“Tani dihet se strumbullari i AKI-së ka qenë BDI-ja, e cila ka akoma antagonizma bukur të theksuara me koalicionin VLEN. Faktori I dytë përse nuk besoj është se qeveria tashmë edhe pak muaj arrin mes mandatin e saj, ashtuqë nuk përjashtohen mundësitë të kemi edhe zhvillime të tjera politike, konkretisht edhe zgjedhje të parakohshme.” – u shpreh Nuhiu.

Edhe kryeministri Hristijan Mickoski ka kundërshtuar përfshirjen e integristëve në qeveri, pasi sipas tij koalicioni i tanishëm ka shumicë të qëndrueshme pa BDI-në. (Meral Ismaili, TVM2)