Turne i basketbollit, sporti si terapi për të lënduarit në Koçan
Jeta megjithatë vazhdon...

Jeta megjithatë vazhdon… Një vit pas tragjedisë në diskotekën “Pulse” në Koçan, disa nga të lënduarit u mblodhën për të luajtur basketboll. Dragan Davitkovski, një nga të lënduarit e asaj nate të kobshme, kujton momentet e tmerrshme të tragjedisë.
Ai thotë se rikuperimi është i ngadalshëm, por se gjendja e tij shëndetësore po përmirësohet gradualisht.
“Isha në koncert, shkova rreth orës 01:30 dhe pas një ore e gjysmë ndodhi ajo që ndodhi. Isha me bashkëshorten dhe me shokë. Nga tavolina jonë ka dy të vdekur. Si ndihem… Jeta vazhdon më tej. Kam disa lëndime, kam djegie dhe kam pasur edhe lëndime të brendshme. Shkojmë në Shkup për trajtime me lazer, ndërsa pulmonologët vijnë në Koçan dhe na kontrollojnë në spital. Ditët e para ishte më të vështira, më pas jo. Tani për tani jam më mirë” – tha Dragan Davitkovski, i lënduar në tragjedinë e Koçanit.
Aktivitetet sportive janë të dobishme si në aspekt të terapisë fizikale, por gjithashtu edhe në aspekt të gjendjes psikologjike, theksojnë institucionet shëndetsore.
“Për herë të parë kemi një ngjarje sportive ku do të jenë qytetarët tanë pas periudhës traumatike që kanë kaluar. Është kënaqësi që sot t’i shohim në këtë aktivitet dhe duhet të pranoj se është një nga aktivitetet më të mira që kemi këto ditë, sepse tani i shohim edhe si sportistë, e dimë dhe jemi të vetëdijshëm se shteti dhe institucionet duhet të veprojnë dhe të investojnë edhe më tej” – deklaroi Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
“Shumë prej tyre njihen mes vete dhe gjatë gjithë procesit janë afruar edhe më shumë. Një pjesë e madhe e tyre janë sot edhe në publik dhe për ne është krenari si shoqëri dhe si institucione që ata janë gjallë, që vazhdojnë jetën e tyre dhe po kthehen në aktivitetet e përditshme, veçanërisht në sport. Duke pasur parasysh se kanë djegie në duar, kjo është një lloj terapie fizikale për ta” – u shpreh Katerina Paniç Mirçovska, mjeke në spitalin e Koçanit.
Ajo shtoi se në të ardhmen e afërt te një pjesë e pacientëve do të fillojnë ndërhyrjet kirurgjikale, por theksoi se bëhet fjalë për lëndime të ndërlikuara dhe plagë nga djegiet, për shkak të të cilave duhet të veprohet me shumë kujdes. (Ersan Pajaziti, TVM2)
