Mbetje kancerogjene përreth “Jugohromit”, rrezikohet përdorimi i ujit të Rashçes
Depoja me qindra mijëra metra kub mbetje nga kromi...

Depoja me qindra mijëra metra kub mbetje nga kromi pranë ish-Jugohromit prej vitesh shihet si një rrezik i mundshëm për burimin Rashçe, nga i cili Shkupi furnizohet me ujë të pijshëm.
Ana Çoloviç Leshoska – biologe nga shoqata qytetare Eko-svest, në një intervistë për REL thotë se nëse ndodh ndotje me krom gjashtëvalent, uji nga ky burim nuk do të mund të përdoret as për qëllime teknike, gjë që do të nënkuptonte humbjen e pakthyeshme të burimit më të rëndësishëm të ujit për kryeqytetin.
“Është fakt që ujerat nëntokësore komunikojnë mes tyre. Prandaj lind problemi që rreziku i ndotjes së ujit nëntokësor nga Jugohromi mund të ndikojë në basenet nëntokësore të Rashçes dhe aty të ndodhë ndotja e burimit të ujit të pijshëm. Është shumë e rëndësishme të theksohet se Ministria e Mjedisit duhet të marrë një vendim konkret se si do të trajtojë deponinë, në mënyrë që të eliminojë këtë rrezik për ndotjen e ujit të pijshëm.” – tha Ana Çoloviç Leshoska nga Shoqata Ekologjike “Eko Svest”.
Çoloviç Leshovska theksoi se është i nevojshëm miratimi sa më i shpejtë i ligjit për natyrën. Ky ligj sipas saj, duhet të parashikojë aktivitete të ndaluara në zonat e mbrojtura, si dhe të parashikojë aktivitete të ndaluara, si hidrocentrale, kërkime gjeologjike ose nxjerrje të lëndëve minerale në zonat e mbrojtura. (Ersan Pajaziti, TVM2)
