Tradita e bamirësisë në Tetovë, 1100 iftare falas çdo ditë gjatë ramazanit
1100 iftare falas për çdo ditë të Ramazanit...

1100 iftare falas për çdo ditë të Ramazanit shpërndan për familjet në nevojë dhe studentët, shoqata “Agimi i Bamirësisë” në Tetovë. Ky aktivitet tashmë është bërë traditë në qytet.
Nga kjo shoqatë thonë se këtë vit shënohet edicioni i 14-të i organizimit të “Sofrës së Ramazanit”. Fillimisht kishin nisur me vetëm 50 iftare, ndërsa sot numri i tyre ka kaluar mbi 1100 çdo ditë.
“Kjo është bërë traditë në qytetin e Tetovës. Është viti i 14-të me radhë që çdo Ramazan mezi e presim bashkë me aktivistët vullnetarë. Tani, falë Allahut të madhëruar, falë bamirësve dhe aktivistëve të palodhur, ky projekt numëron rreth 1100 iftare. Ne kemi kërkesa edhe më shumë nga familjet që janë në nevojë në Tetovë, por kuzhina dhe ambienti që kemi për momentin nuk na e mundësojnë të përgatisim më shumë. Kjo duhet të mbetet traditë që edhe kur ne të mos jemi më në këtë shoqatë, kjo të mbetet për brezat që do të vijnë më pas.” – tha Ekrem Rufati nga shoqata “Agimi i Bamirësisë” – Tetovë.
Studentët që përfitojnë nga këto iftare thonë se një ndihmë e tillë është shumë e rëndësishme për ta gjatë studimeve.
“Mendoj se është një opsion shumë i mirë për studentët, pasi shumica e tyre nuk kanë mundësi materiale ose ekonomike dhe është një benefit shumë i madh për ne studentët.”
“Ne si studentë jemi të zënë me ligjërata gjatë tërë ditës dhe nuk kemi kohë për ta përgatitur iftarin, dhe kjo na lehtëson shumë ta kemi një iftar falas dhe të përgatitur nga Agimi i Bamirësisë.”
“Na ndihmon shumë, duke e parë se lodhemi me studime dhe një bukë e mirë nga Agimi i Bamirësisë na ndihmon shumë dhe na jep energji për të vazhduar më para.” – thanë disa nga studentët e intervistuar nga TVM2.
Përveç iftareve falas, shoqata “Agimi i Bamirësisë” po ndërton edhe shtëpi për familjet në nevojë. Sipas përfaqësuesve të shoqatës, deri në fund të muajit të Ramazanit pritet të gëzojnë dy familje me shtëpi të reja në fshatin Shipkovicë.
“Tash në muajin e Ramazanit deri në fund shpresojmë se do t’i gëzojmë dy familje që do t’u hapim shtëpitë dhe ato mund të jetojnë. Flas për fshatin Shipkovicë.” – deklaroi Ekrem Rufati nga shoqata “Agimi i Bamirësisë” – Tetovë.
Përveç gjatë muajit të Ramazanit, shoqata Agimi i Bamirësisë shpërndan ushqime falas për studentë dhe familje në nevojë gjatë gjithë vitit. (Visar Sadiku, TVM2)
