Kriza në Lindjen e Mesme mbetet sfidë për stabilitetin global
Kriza në Lindjen e Mesme vazhdon...

Kriza në Lindjen e Mesme vazhdon të mbetet një sfidë për stabilitetin global. Pesidenti i SHBA-së deklaroi se Teherani është i interesuar për një marrëveshje që do t’i jepte fund luftës, por sipas tij kushtet aktuale ende nuk janë të pranueshme.
Trump pretendon se ishulli Kharg, një nga qendrat kryesore për eksportin e naftës së Iranit, është shkatërruar plotësisht, duke shtuar se sulmet mund të vazhdojnë përsëri, por siç tha ai, “vetëm për argëtim”.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë u bëri thirrje aleatëve ndërkombëtarë të ndihmojnë në garantimin e sigurisë në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë strategjike për transportin e naftës.
Ai u shpreh se shpreson që në këtë përpjekje të përfshihen edhe Kina, Franca, Japonia, Koreja e Jugut dhe Mbretëria e Bashkuar, duke theksuar nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë mposhtur dhe shkatërruar plotësisht Iranin, ushtarakisht, ekonomikisht dhe në çdo mënyrë tjetër, por vendet e botës që marrin naftë përmes Ngushticës së Hormuzit duhet të kujdesen për këtë kalim, dhe ne do të ndihmojmë! SHBA gjithashtu do të koordinohet me këto vende që gjithçka të zhvillohet shpejt, pa pengesa dhe në mënyrë të rregullt. Kjo gjithmonë duhej të ishte një përpjekje ekipore, dhe tani do të jetë, do ta bashkojë botën drejt harmonisë, sigurisë dhe paqes së përhershme!” – tha Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.
Sipas Ministrisë së Jashtme të Iranit, Republika Islamike vazhdon të funksionojë normalisht dhe udhëheqësi suprem i ri, Mojtaba Khamenei, po i kryen detyrat pavarësisht spekulimeve për gjendjen e tij shëndetësore.
Autoritetet iraniane thonë se Ngushtica e Hormuzit mbetet e hapur pavarsisht konfliktit, por paralajmërojnë se anijet e vendeve që sulmojnë Iranin mund të bllokohen.
“Ngushtica e Hormuzit është e hapur. Ajo është e mbyllur vetëm për tankerët dhe anijet që u përkasin armiqve tanë, atyre që na sulmojnë ne dhe aleatëve të tyre. Të tjerët janë të lirë të kalojnë. Sigurisht, shumë prej tyre preferojnë të mos e bëjnë këtë për shkak të shqetësimeve për sigurinë. Kjo nuk ka lidhje me ne. Në të njëjtën kohë ka shumë tankerë dhe anije që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit. Mund të them se ngushtica nuk është e mbyllur, por është e mbyllur vetëm për anijet dhe tankerët amerikanë dhe izraelitë, jo për të tjerët”. – deklaroi Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi.
Turqia pretendon se nuk ka një iniciativë serioze për vazhdimin e negociatave midis SHBA-së dhe Iranit. Sipas Ministrisë së Jashtme turke, Teherani është i hapur për diplomaci përmes kanaleve të tjera të komunikimit, por kjo do të ishte e mundur vetëm nëse SHBA-të përcaktojnë qartë objektivat ushtarake.
Lidhur me raketat iraniane të interceptuara, nga Ankaraja thonë se nuk duan të përfshihen në luftë.
“Turqia është një vend shumë i aftë, por në këtë rast nuk duam të futemi në luftë apo të provokohemi. Pozicioni ynë aktualisht është mbrojtës. Njësitë e NATO-s janë shumë efektive në këtë moment në interceptimin e raketave”. – u shpreh Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan.
Ndërkohë, veprimet ushtarake vazhdojnë. Irani dhe Izraeli raportojnë për sulme të reja, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Kuvajti, Katari dhe Bahreini raportojnë se kanë kapur raketa dhe drone që kanë patur cak vendet e tyre. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
