Kulturë
Oscars 2026: “One Battle After Another” fiton filmin më të mirë dhe 6 çmime
16.03.2026 09:51
Mbrëmja e ndarjes së çmimeve Oscar ishte një festë e vërtetë e kinematografisë, ku shkëlqimi i tapetit të kuq u ndërthur me realizimin e ëndrrave të fëmijërisë për shumë artistë....

Filmi “One Battle After Another”, me regji të Paul Thomas Anderson, ka triumfuar në ceremoninë e 98-të të Academy Awards, duke fituar çmimin për filmin më të mirë dhe duke mbyllur mbrëmjen me gjashtë çmime gjithsej.
Michael B. Jordan dhe “Sinners” shkruajnë historinë
Çmimi “Aktori më i mirë” i takoi Michael B. Jordan për performancën e tij të dyfishtë (rolin e binjakëve) në filmin horror mbi vampirët, “Sinners”. Ky film hyri zyrtarisht në histori si projekti më i nominuar në historinë e “Oscars”, me gjithsej 16 nominime.
Nga ana tjetër, Jessie Buckley shënoi një moment historik duke u bërë aktorja e parë irlandeze që fiton çmimin “Aktorja më e mirë”. Ajo u vlerësua për portretizimin e fuqishëm të bashkëshortes së William Shakespeare në filmin “Hamnet”.
Fituesit në rolet dytësore
Sean Penn: U shpall “Aktori më i mirë në rol dytësor” për interpretimin e personazhit negativ, kolonel Lockjaw, në filmin “One Battle After Another”. Siç u raportua, aktori nuk ishte i pranishëm në ceremoni për ta tërhequr personalisht çmimin.
Amy Madigan: Aktorja veterane, e cila u nominua për herë të parë para 40 viteve, fitoi kategorinë “Aktorja më e mirë në rol dytësor” për rolin e tmerrshëm të “Teze Gladys” në filmin horror “Weapons”.
Skenaristët që lanë gjurmë
Në kategoritë e shkrimit, Ryan Coogler fitoi çmimin “Skenari më i mirë origjinal” për “Sinners”, një skenar të cilin e shkroi në një kohë rekord prej vetëm dy muajsh. Ndërkohë, çmimi për “Skenarin më të mirë të përshtatur” shkoi sërish për Paul Thomas Anderson dhe filmin “One Battle After Another”, i bazuar në romanin “Vineland” të autorit Thomas Pynchon.
Risi dhe momente të veçanta
Në këtë edicion u dha për herë të parë edhe çmimi për castingun më të mirë, i cili u fitua nga Cassandra Kulukundis për filmin One Battle After Another.
Një tjetër moment i rrallë ishte barazimi në kategorinë filmi i shkurtër me aktorë, ku dy filma fituan njëkohësisht çmimin, një ngjarje që ka ndodhur vetëm disa herë në historinë gati një shekullore të ceremonisë.
Në kategoritë teknike, “Avatar: Fire and Ash” fitoi çmimin për efektet vizuale më të mira.
Festimet pas ceremonisë
Pas përfundimit të ceremonisë në Dolby Theatre në Los Angeles, fituesit dhe yjet e Hollywood-it iu drejtuan Governors Ball dhe më pas festës tradicionale të Vanity Fair, ku morën pjesë emra të njohur si Nicole Kidman, Jeff Goldblum dhe Zoe Saldana.
Ceremonia e këtij viti u shoqërua me disa momente historike, fitues të papritur dhe një dominim të qartë të dy filmave kryesorë të sezonit, duke e bërë Oscars 2026 një nga edicionet më të komentuar të viteve të fundit në industrinë e filmit.
