Maqedoni

Deklarata e Hahn për zgjedhjet, Zaev anulon pjesëmarrjen në takimin në Bruksel

05.06.2015 17:57

Edhe pse marrëveshja e arritur në parim mes krerëve të katër partive politike dha shpresa për tejkalimin e krizës politike...

Edhe pse marrëveshja e arritur në parim mes krerëve të katër partive politike dha shpresa për tejkalimin e krizës politike, kriza në vend rrezikon të thellohet pas deklaratës së komisionerit Han se raporti i OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet e fundit ka qenë pozitiv, por ku janë theksuan disa parregullsi.
Kjo deklaratë ka shtyrë kreun e LSDM-së, Zoran Zaev, që të anulojë pjesëmarrjen në takimin e dakorduar për më dhjetë qershor, kur duhej finalizuar marrëveshja e arritur në Shkup.
 
“Njoftoj se nuk do të marrim pjesë në mbledhjen e caktuar me eurokomisarin Han, më 10 qershor, në Bruksel. Deklarata në Uashington e Johanes Hanit, komisarit për zgjerim të BE-së, përmban elemente anshmërie dhe është e papërshtatshme për periudhën përgatitore, para takimit vendimtar në Bruksel. Befason vlerësimi i eurokomisarit Han se raportet e OSBE/ODIHR për zgjedhjet në vend kanë qenë në përgjithësi pozitive. As OSBE/ODIHR, as Bashkimi Evropian deri tani nuk kanë konstatuar se raporti për zgjedhjet në Maqedoni është pozitiv”- deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
 
Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, tha se pavarësisht qasjes së tij konstruktive për tejkalimin e krizës dhe uljen në bisedime në një tryezë me pozitë të pabarabartë, pushteti vazhdon të ushtrojë presion mbi të, mbi familjet e të paditurve për rastin “Puç” dhe mbi ata që mendojnë ndryshe.      
 
“Pas bisedimeve më 2 qershor në Shkup, është ngritur një tjetër aktpadi kundër meje, edhe atë për marrje ryshfet, edhe pse padia penale nga MPB-ja kundër meje ishte për tentim për marrje ryshfeti. Është bërë diversion mbi veturën e djalit të Zoran Verushevskit, me të cilën udhëtojnë fëmijë, janë bërë bastisje të reja në shtëpitë e të paraburgosurve, janë djegur vetura, janë sulmuar kritikët e pushtetit”- tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
 
Zaev pret që të gjitha palët e përfshira në procesin për tejkalimin e krizës të respektojnë atë që është arritur me marrëveshjen e fundit.  
 
Përndryshe, komisioneri Han gjatë vizitës në Uashington deklaroi se zgjedhjet e fundit si dhe disa zgjedhje radhazi në vend dhe në rajon janë mbikëqyrë nga OSBE dhe ka pasur një raport pozitiv. 
 
SHPËTIM NUREDINI