Maqedoni
Zekati i Fitrit, obligim fetar, ndihmë dhe solidaritet me skamnorët
16.03.2026 12:55
Zekati i Fitrit është një obligim fetar që nënkupton dhënien e një lëmoshe të caktuar...

Zekati i Fitrit është një obligim fetar që nënkupton dhënien e një lëmoshe të caktuar, të cilën Allahu e ka bërë detyrim për besimtarët që agjërojnë gjatë muajit të Ramazanit, me qëllim forcimin e solidaritetit ndaj kategorive më të rrezikuara të shoqërisë. Kështu deklaroi për TVM2, imami Bashkim Hasani. Sipas tij, përmes dhënies së zekatit të Fitrit ndihmohen familjet në gjendje të vështirë ekonomike, jetimët, si dhe të gjithë ata që kanë nevojë për mbështetje dhe ndihmë.
“Koha më e mirë për ta dhënë zekatin e Fitrit është në ditën e fundit të Ramazanit, deri para se të perëndojë dielli. Kjo është koha më e mirë. A ka mundësi të shtyhet edhe më andej, ka mundësi deri sa të falet namazi i Bajramit. Nëse zekati i Fitrit jepet deri në kohën para se të falet namazi i Bajramit, atëherë ky ibadet ose ky adhurim është i kryer ashtu siç duhet, e nëse jepet pas namazit të Bajramit, atëherë nuk llogaritet si zekat i Fitrit, por mbetet vetëm një lëmoshë prej lëmoshave të rëndomta, prandaj çdo mysliman duhet të ketë kujdes që ta japë zekatin e Fitrit para se të falet namazi i Bajramit.”, - deklaroi imami, Bashkim Hasani.
Imami Bashkim Hasani me rastin e fundit të muajit të shenjtë të Ramazanit thekson se duhet pasur kujdes se kujt i jepen fitrat. Fitrat nuk u takojnë personave që janë të aftë për punë.
“Nëse jepet paraja duhet pasur kujdes se kujt po i jep, e dyta d.m.th. se te ne keqpërdoren shumë gjëra. P.sh. nëse mblidhen para ose çdokush individualisht shkon edhe i jep fitrat nëpër familje skamnore, ne e dimë se jo çdo familje skamnore meriton t’ia japim fitrat, ngase ndonjëherë ka familje, të cilat janë të varfra, sepse janë dembelë, të cilët nuk punojnë. Nëse është në atë familje ndonjë burrë i cili nuk është i sëmurë dhe i posedon të gjitha kushtet që të ketë mundësi të punojë, atij nuk i takon t’i jepen fitrat, por fitrat u takojnë familjeve që e meritojnë, që nuk kanë mundësi të fitojnë risk, apo bonjakëve, apo njerëzve të sëmurë.”, - theksoi imami, Bashkim Hasani.
Predikuesit e fesë islame po ashtu theksojnë se fitrat përveç se u jepen të varfërve, bonjakëve, personave të sëmurë, atyre që nuk kanë askënd në jetë, u takojnë t’u jepen edhe studentëve, ngase ata nuk kanë mundësi të punojnë, për shkak të studimeve që i kanë.
VLORA LATIFI TOPOJANI
