Ekonomi

Rriten çmimet e derivateve të naftës, benzina për 7 denarë, dizeli për 6.5 denarë

16.03.2026 13:29

Komisioni Rregullator për Energjetikë miratoi rritje të çmimeve të derivateve të naftës...

Komisioni Rregullator për Energjetikë mori vendim me të cilin rriten ndjeshëm çmimet maksimale me pakicë të derivateve të naftës. Nga mesnata, benzinat EUROSUPER BS-95 dhe EUROSUPER BS-98, si dhe vaji ekstra i lehtë për amvisëri do të shiten me çmim më të lartë për 7 denarë për litër. Çmimi me pakicë i dizelit rritet për 6.5 denarë, ndërsa mazuti shtrenjtohet për gati 5 denarë për kilogram.
 
“Sipas çmimores së re, një litër EUROSUPER BS-95 do të kushtojë 86.50 denarë, ndërsa EUROSUPER BS-98 do të shitet për 88.50 denarë. Çmimi i ri i EURODIESEL (D-E V) do të jetë 92 denarë për litër, ndërsa vaji ekstra i lehtë do të kushtojë 89.50 denarë për litër. Mazuti do të shitet me 47.453 denarë për kilogram.”, - thanë nga KRrE.
 
Nga Komisioni thonë se këto rritje janë pasojë e rritjes së çmimeve të produkteve të naftës në bursat botërore, si dhe e rritjes së vazhdueshme të kursit të dollarit ndaj denarit gjatë pesë ditëve të fundit. 
 
“Çmimet referente të derivateve të naftës në tregun botëror, në krahasim me përllogaritjen e mëparshme, shënojnë rritje te benzina mesatarisht 16.9 %, te nafta rritja është mesatarisht 11.7%, te vaji ekstra i lehtë rritja është mesatarisht 13% dhe te mazuti rritja është mesatarisht 14.5%, me ç'rast në strukturën e çmimeve të derivateve të naftës është bërë përshtatje përkatëse. Kursi i denarit në raport me dollarin në periudhën e kaluar, duke pasur parasysh ndikimet e këtyre elementeve në formimin e çmimeve të derivateve të naftës sipas Metodologjisë, çmimet e shitjes me pakicë të derivateve të naftës në përputhje me Metodologjinë e formimit të çmimeve rriten mesatarisht për 8.98 %.”, - thanë nga KRrE.
 
Edhe pse bëhet fjalë për përcaktim të çmimeve maksimale, Komisioni Rregullator për Energjetik u bëri thirrje kompanive të naftës që t’i ulin çmimet me pakicë për 2 denarë për litër, duke iu referuar zbritjes së dakorduar ndërmjet Qeverisë dhe furnizuesit kryesor “OKTA”.
 
Të hënën e kaluar gjithashtu pati një rritje të konsiderueshme të çmimeve, kur dizeli u shtrenjtua për 14 denarë, ndërsa benzina për 5 denarë për litër.
 
ARMEND MURSELI