Maqedoni

Mucunski dhe Hoxha, bisedë telefonike, në fokus, integrimi, Marrëveshja e Ohrit dhe Korridori 8

16.03.2026 14:03

Në të njëjtën kohë, ministrat kanë diskutuar edhe për Liqenin e Ohrit, detyrimet që rrjedhin nga UNESCO, si dhe përgjegjësinë e përbashkët për mbrojtjen e tij...

Raportet dypalëshe, integrimi evropian, statusi i shqiptarëve në RMV dhe i pakicës maqedonase në Shqipëri, kanë qenë fokusi i bisedës telefonike mes ministrit të Jashtëm, Timço Mucunski, dhe homologut të tij nga Shqipëria, Ferit Hoxha. Dy ministrat e resorëve janë zotuar për avancim të mëtejmë të marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje. Në të njëjtën kohë, ministrat kanë diskutuar edhe për Liqenin e Ohrit, detyrimet që rrjedhin nga UNESCO, si dhe përgjegjësinë e përbashkët për mbrojtjen e tij dhe menaxhimin e qëndrueshëm të rajonit.
 
“U fol edhe për perspektivën evropiane të të dy shteteve dhe për aktivitetet e përbashkëta në rrugën drejt Bashkimit Evropian, si dhe për projektin Korridori 8, i cili paraqet një prioritet të përbashkët me rëndësi për të dy vendet, për lidhjen rajonale dhe zhvillimin. Shkëmbyem mendime edhe për çështjet aktuale të bashkëpunimit rajonal, duke theksuar rëndësinë e kultivimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe kontributin e përbashkët të të dy vendeve për stabilitetin dhe sigurinë në rajon.”.
 
Ndërkaq, ministri i Jashtëm shqiptar, Hoxha, në anën tjetër ka theksuar veçantinë e implementimit të Marrëveshjes së Ohrit, si kusht për kohezionin e brendshëm të shoqërisë në RMV, duke përmendur edhe çështjen aktuale të zbatimit të gjuhës shqipe.
 
“Riafirmuam gjithashtu rëndësinë e madhe të zbatimit të plotë të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, gurthemel i bashkëjetesës ndëretnike dhe stabilitetit institucional në vend. Në këtë drejtim nënvizova rëndësinë e zbatimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, duke përfshirë përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet shtetërore, përmes zgjidhjeve që respektojnë parimet kushtetuese dhe pasqyrojnë karakterin shumetnik të vendit. Për ne, Maqedonia e Veriut nuk është vetëm një vend fqinj dhe mik, por edhe një aleat i çmuar i NATO-s dhe një partner i ngushtë rajonal.”.
 
Hoxha ka shfrytëzuar rastin që në përvjetorin e tragjedisë së Koçanit të shprehë solidaritetin ndaj institucioneve dhe qytetarëve të Maqedonisë. Dy shefat e politikave të jashtme janë dakorduar edhe për rëndësinë e avancimit të bashkëpunimit për zbatimin e Korridorit 8, projekt kyç për lidhshmërinë dhe zhvillimin rajonal.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU