Maqedoni
Një vit nga zjarri tragjik në Koçan, ku humbën jetën 63 persona
16.03.2026 14:16
Sot në Parkun e Revolucionit në Koçan u shënua njëvjetori i tragjedisë në diskotekën e improvizuar “Puls”....

Me vendosjen simbolike të 63 karrigeve të bardha që përfaqësojnë 63 jetë të humbura, sot në Parkun e Revolucionit në Koçan u shënua njëvjetori i tragjedisë në diskotekën e improvizuar “Puls”. Në këtë ngjarje tragjike, më 16 mars të vitit të kaluar, humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 të tjerë mbetën të lënduar. 63 karrige të bardha të vendosura në heshtje në ambient të hapur, secila me nga një trëndafil të bardhë mbi të dhe një libër të hapur ngushëllimi, shërbyen si dëshmi e heshtur për jetët e ndërprera në vitet më të mira. Këto 63 karrige të bardha, me 63 emra, përkatësisht 63 jetë që nuk janë më, për çdo familje përfaqësojnë mungesën e një të dashuri. Një trëndafil i bardhë për kujtim, një dritë për përkujtim dhe një vend që nuk do të mbushet kurrë. Familjarët, me dhimbje që nuk shuhet, kujtojnë të dashurit e tyre dhe shpresojnë se për këtë tragjedi do të vihet drejtësia.
“Si fillimisht fuqi më të madhe më jep vogëlushja ime. Duhet të luftojmë dhe të jemi fortë dhe të jetojmë për të tanimë, ndërsa njëherësh duhet të jetojmë dhe të ruajmë kujtimin e engjëllit tonë, Andrej Stojanov, dhe luftën që do të na shpie deri te drejtësia, sepse kjo tragjedi nuk është e rastësishme, por kjo është në një farë mënyre vrasje e fëmijëve tanë.”, - theksoi e ëma e një viktime në Koçan.
“Pas një viti dhimbje që nuk shërohet, fuqi na jep çdo kujtim i paharruar i fëmijës sonë, Sarës. Çdo minutë dhe sekondë e kujtojmë atë, por na duhet të jetojmë për vëllanë e saj më të vogël 9-vjeçar, ai na mban në jetë.”, - u shpreh i ati i një viktime në Koçan, Sashko Aleksov.
Lutje për viktimat e tragjedisë në Parkun e Revolucionit në Koçan u mbajt nga Mitropoliti i Dioqezës së Bregallnicës, z. Ilarion, së bashku me priftërinj të kishës së Koçanit. Në shërbesën përkujtimore morën pjesë familjarët e viktimave, një numër i madh qytetarësh, si dhe krerët e shtetit, duke filluar nga kryeministri Hristijan Mickoski dhe presidentja Gordana Siljanovska Davkova, kreu i LSDM-së, Venko Filipçe, por edhe shumë përfaqësues nga jeta politike, akademike, shoqërore dhe nga kori diplomatik. Po ashtu në Qendrën për Kulturë “Beli Mugri” u mbajt edhe ngjarja qendrore përkujtimore “Dita e Përkujtimit - 16 Mars”, kushtuar viktimave të tragjedisë. Aktiviteti përkujtimor, i organizuar nga Komuna e Koçanit dhe prindërit e viktimave, nisi në orën 08:45 dhe është pjesë e programit qendror për shënimin e përvjetorit të kësaj tragjedie dhe zgjat gjatë gjithë ditës.
REXHEP QAMILI
