Maqedoni
Komisioni anketues për Koçanin, Gashi: I mbetet deputetëve të organizohen
16.03.2026 15:15
Komisioni anketues në Kuvend për tragjedinë e Koçanit në heshtje....

Komisioni anketues në Kuvend për tragjedinë e Koçanit në heshtje. Kabineti i kryeparlamentarit deklarohet i pa ndikim në fillimin e punës së komisionit. Kryetari Afrim Gashi në një takim me gazetarë thotë se është në duart e grupeve parlamentare që komisioni të vijojë punën.
“Nuk ka ndonjë zhvillim të ri. U mbetet grupeve parlamentare të organizohen dhe të vazhdojnë punimet. Ne si kabinet nuk kemi asnjë ndikim që t’i motivojmë të vazhdojnë punën.”, - u shpreh kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
Gashi nuk deshi të komentojë akuzat e familjarëve të viktimave se seanca përkujtimore ka qenë e vonuar. Ai tha se Kuvendi ka vepruar në mënyrë dinjitoze dhe me respekt ndaj prindërve.
Deklarimet e Kostadinovskit për “Qytetin e Sigurt”, Gashi: Të kujdesshëm me çështje ndëretnike
Gashi komentoi edhe deklaratën e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, sa i takon projektit “Qyteti i Sigurt” se porositë SMS duhet të dërgohen vetëm në maqedonisht, ndërkohë që mund të dërgohen edhe në anglisht, por jo në shqip. Gashi tha se duhet të jemi të kujdesshëm, sa i takon çështjeve ndëretnike.
“Nuk jam politikan që hyj në konflikt me institucione të tjera, kam shumë kujdes sa i takon deklaratave që kanë të bëjnë me çështjet ndëretnike. Këto unë i vlerësoj si fragjile dhe shtyllë e shtetit. Unë përpiqem që maksimalisht të jem i kujdesshëm.”, - theksoi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
Ai gjithashtu rekomandoi Kostadinovskin që të merret me institucionin e tij, pasi ai e cilësoi Kuvendin si institucion të padisiplinuar për vonesat në ndryshimet ligjore për ligjin për komunikime elektronike dhe Kodin Penal. Gashi thotë se Kuvendi nuk mund të ndërmarrë hapa të caktuar pa mendimin e Qeverisë dhe ekspertëve. Ndërkohë sa i takon grupeve të punës të ngritura në Ministrinë e Drejtësisë për përpilimin e kodit të ri zgjedhor nën koordinimin e ministrit Fillkov, Gashi përshëndet angazhimin e tyre që sa më shpejt të përmbyllet kodi zgjedhor, përfshi edhe ndryshimin e njësive zgjedhore, sipas tij në favor të procesit demokratik me lista të hapura. Kuvendi parashikon dy seanca deri në përmbyllje të muajit, më 18 mars dhe 26 mars. Të mërkurën deputetët zgjedhin kryeprokurorin e shtetit. Qeveria e ka propozuar Nenad Saveskin për kryeprokuror të ardhshëm.
MERAL ISMAILI
