Botë

Sulmohet ambasada amerikane në Bagdat

17.03.2026 11:57

Ambasada amerikane në Irak është sulmuar në orët e para të mëngjesit të sotëm me dronë dhe raketa....

Ambasada amerikane në Irak është sulmuar në orët e para të mëngjesit të sotëm me dronë dhe raketa. Fillimisht sistemi i mbrojtjes ajrore kapi një raketë të nisur me objektiv ambasadën, por një sulm i dytë arriti të godiste shënjestrën.
 
Burime irakiane të sigurisë e përshkruan atë si sulmin më intensiv ndaj ambasadës amerikane që nga fillimi i luftës së re në Lindjen e Mesme. Shpërthime u dëgjuan herët të martën gjithashtu në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Doha, kryeqytetin e Katarit.
 
Ministria e Mbrojtjes së Emirateve të Bashkuara Arabe tha se një raketë ishte kapur. Në Dubai, shpërthimi u pasua nga një njoftim i dërguar në telefonat celularë të banorëve për të kërkuar strehim menjëherë për shkak të një kërcënimi nga raketat.
 
Ministria e Jashtme e Katarit tha se një zjarr shpërtheu në një zonë industriale për shkak të mbeturinave që binin pasi raketa u kap, duke shtuar se nuk ishin raportuar të lënduar.