Rajon

Marrëdhëniet Shqipëri – Iran, Shqipëria shpall Iranin sponsor të terrorizmit

17.03.2026 13:48

Shqipëria shpall Republikën Islamike të Iranit, sponsor të terrorizmit...

Shqipëria shpall Republikën Islamike të Iranit, sponsor të terrorizmit dhe shtet që përdor mjete terroriste në ndjekje të objektivave të tij të politikës së jashtme. Me 79 vota, Kuvendi miratoi rezolutën e propozuar nga socialistët me opozitën që bojkotoi, pasi nuk ishte njoftuar që seanca do të kishte në rend të ditës rezolutën. Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, nuk e fshehu zhgënjimin për mungesën e PD-së.
 
“Është urgjent dhe i nevojshëm sa i përket zhvillimeve pas sulmit kibernetik kundër Kuvendit, sa i përket interesit të Shqipërisë, por edhe zhvillimit që lidhen me bllokimin apo minimin e kanalit të Hormuzit. Për ta parë jo si akt formal, por si deklaratë të vlerave dhe përgjegjësisë sonë, si një aleat i NATO-s dhe si një vend që brenda 2030 do të jetë në BE.”, - u shpreh kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla.
 
Për të vetmit deputetë opozitarë në sallë Redi Muçi i Lëvizjes “Bashkë” që abstenoi, dhe Erald Kapri i partisë Mundësia, i cili nuk mori pjesë në votim, rezoluta është hipokrizi.
 
“Kjo rezolutë duhet të përmbante edhe një kërkesë për dhënien fund të këtij konflikti pa asnjë logjikë me pasoja ekonomike.”, - u shpreh Redi Muçi nga Lëvizja “Bashkë”.
 
“Është shumë qesharake kur mendon një rezolutë kundër Iranit dhe Irani na ka sulmuar Parlamentin, madje dhe asnjë nga mazhoranca nuk kërkon mbledhje të këshillit të sigurisë kombëtare. Po të ishim pro perëndimit s’do të vendosnim mbrojtje ndaj Ballukut. Rama ka vendosur që BE të kalojë nga Beogradi, dhe jo Brukseli.”, - u shpreh Erald Kapri nga partia “Mundësia”.
 
Me miratimin në Kuvend, Shqipëria bëhet vendi i dytë në botë, pas ShBA-së që përcakton Iranin, shtet sponsor të terrorizmit, si dhe dënon sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë në vitin 2022, që solli edhe ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike.
 
LULJETA NDOKA