Rajon
BE heq masat ndëshkuese ndaj Kosovës, zhbllokohet e gjithë ndihma financiare
17.03.2026 14:20
Komisioni Evropian ka konfirmuar se janë hequr të gjitha masat financiare ndaj Republikës së Kosovës...

Komisioni Evropian ka konfirmuar se janë hequr të gjitha masat financiare ndaj Republikës së Kosovës. Kjo u bë e ditur gjatë debatit për raportin për Kosovën që u zhvillua në Parlamentin Evropian.
“Mund të konfirmoj se Komisioni Evropian ka liruar të gjithë ndihmën financiare që më parë ishte nën masa dhe gjithashtu po planifikojmë të riangazhohemi plotësisht me homologët tanë në Kosovë, në mënyrë që ta rikthejmë Kosovën në rrugën e duhur në agjendën e saj të BE-së.”, - deklaroi përfaqësuesi i Komisionit Evropian, Jiri Plecity.
Njëherësh gjatë debatit u shpreh keqardhje për vitin e humbur në Kosovë për shkak të ngërçit politik që përshkoi tërë vitin 2025, e që po vazhdon edhe aktualisht. Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian theksoi se vendi ishte në një paralizë të plotë politike, e cila kishte pasoja edhe në procesin reformues.
“Është për të ardhur keq që pasiguria dhe ngërçi politik kanë ngadalësuar ndjeshëm reformat e nevojshme që Bashkimi Evropian pret nga aplikantët, të cilat janë gjithashtu qartësisht jetike për vetë vendin. Ka shumë qartë fusha në të cilat Kosova ka bërë regres të ndjeshëm gjatë vitit të kaluar.”, - theksoi raportuesi për Kosovën në PE, Riho Terras.
Gjatë debatit, përfaqësuesit e institucioneve evropiane përshëndetën marrëveshjen për Ligjin për të Huajt, të arritur ditë më parë në Prishtinë. BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës në vitin 2023, të cilat kishin të bënin me pezullim të financimit dhe të takimeve dypalëshe midis zyrtarëve evropianë dhe përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës. Masat u vendosën për shkak të tensioneve në veriun e Kosovës, kur serbët lokalë bojkotuan zgjedhjet dhe kryetarë të komunave u zgjodhën kandidatët shqiptarë. Kjo shkaktoi protesta dhe përplasje të serbëve lokal me forcat e sigurisë, përfshirë edhe pjesëtarët e KFOR-it.
GYLTENE SINANI
