Rajon

Kriza e naftës dhe rritja e çmimit, Lila: Kemi masa për kufizimin e marzhës

17.03.2026 14:36

Një litër naftë në Kosovë aktualisht në pompat e benzinës shitet për një euro e 64 cent...

Lëvizjet e fundit të çmimeve të derivateve të naftës, për shkak të zhvillimeve në Lindjen e Mesme, po ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve në tregun ndërkombëtar, deklaroi ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila. Një litër naftë në Kosovë aktualisht në pompat e benzinës shitet për një euro e 64 cent. Ministrja Kusari-Lila, tha se masa për kufizimin e marzhës së fitimit në dy cent po e mban situatën nën kontroll. 
 
“Një blerës me shumicë, gjegjësisht një importues me shumicë mund ta ngritë çmimin mbi çmimin e importit vetëm 2 cent për litër. Prandaj, nëse në një ditë të caktuar, siç ka qenë dy ditë më parë, çmimi për litër të derivatit, në këtë rast të naftës, është importuar me 1 euro e 50 cent, me shumicë ajo mund të shitet më së shumti 1 euro e 52 cent. Përderisa me pakicë shtohet edhe 12 cent mbi çmimin bazë, që do të shkojë në 1 euro e 64 cent.”, - deklaroi ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila.
 
Lila: Kemi sasi të mjaftueshme të naftës
 
Sipas saj, Kosova si vend importues që nuk ka rafineri, po preket shumë më shumë sesa vendet fqinje. 
 
“Ne si vend importues, që nuk kemi rafineri, po ndikon shumë më shumë sesa për shembull vendet fqinje Greqia, Maqedonia e Veriut, që kanë rafineritë e naftës. Megjithatë, prapë te të gjithë është duke u reflektuar rritja e çmimit e në Kosovë po e ka ndikimin e drejtpërdrejtë.”, u shpreh Kusari-Lila.
 
Megjithatë ajo theksoi se nuk ka vend për panik te qytetarët, pasi importuesit kosovarë kanë rezerva të mjaftueshme. Sipas ministres Kusari-Lila, Kosova aktualisht nuk ka nevojë për lirimin e rezervave shtetërore, siç ka ndodhur në ShBA dhe vende tjera.
 
GYLTENE SINANI