Botë
Lufta në Lindjen e Mesme vazhdon, Tramp: Lufta me Iranin nuk do të zgjasë shumë
17.03.2026 14:47
Sulmet iraniane ndaj Izraelit dhe vendeve të Gjirit kanë vazhduar...

Sulmet iraniane ndaj Izraelit dhe vendeve të Gjirit kanë vazhduar. Ambasada amerikane në Irak u godit përsëri me raketë, ndërsa në Arabinë Saudite u interceptuan disa predha. Ndërkohë, kreu i Shtëpisë së Bardhë siguron se lufta me Iranin nuk do të zgjasë shumë, do të përfundojë së shpejti dhe bota do të jetë më e sigurt.
“A e dini se nëse nuk do ta kisha prishur marrëveshjen bërthamore të Barak Husein Obamës me Iranin, Izraeli do të ishte zhdukur dhe ndoshta edhe Lindja e Mesme gjithashtu? Emiratet e Bashkuara Arabe janë si bankier për Iranin. Katari, fqinjët e tyre, shkojnë mirë me ta. Arabia Saudite... Papritur goditet Kuvajti, goditet Bahreini... Nuk kishte asnjë ekspert që do të thoshte se kjo do të ndodhte.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
BE është e prerë, nuk do të marrë pjesë në konflikt
Trampi nuk e kishte pritur që Irani të sulmonte vendet fqinje, ai nuk është i kënaqur me aleatët dhe anëtarët e NATO-s për çështjen e luftës në Lindjen e Mesme, por thotë se disa vende kanë treguar entuziazëm për sigurinë e Ngushticës së Hormuzit. BE është e prerë, nuk do të marrë pjesë në konflikt.
“NATO është një aleancë mbrojtëse, jo ndërhyrëse, prandaj shpresoj që të sillemi ndaj njëri-tjetrit me respektin e nevojshëm brenda aleancës. Ne ndajmë të njëjtin qëllim. Ky regjim iranian duhet të marrë fund. Duhet të zëvendësohet me një qeveri demokratike legjitime. Por, bazuar në gjithë përvojën që kemi fituar gjatë viteve dhe dekadave të fundit, bombardimi i tij deri në nënshtrim me shumë gjasa nuk është qasja e duhur.”, - deklaroi kancelari i Gjermanisë, Fridrih Merz.
Irani sërish mohon se ka kërkuar armëpushim.
“Kur themi se nuk duam armëpushim, kjo nuk do të thotë se duam ta vazhdojmë luftën. Lufta duhet të përfundojë në një mënyrë që armiqtë të mos mendojnë kurrë të përsërisin sulmet.”, - theksoi ministri i Jashtëm i Iranit, Abas Aragçi.
Izraeli vazhdon të synojë udhëheqjen politike në Iran
Nga ana tjetër Izraeli edhe më tutje vazhdon të synojë udhëheqjen politike në Iran. Në Teheran u vranë kryetari i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare, Ali Lariani, dhe shefi i formacionit paraushtarak Basij, Gholam Reza Soleimani.
“Ne i kemi urdhëruar Forcat e Mbrojtjes së Izraelit të vazhdojnë dhe të ndjekin udhëheqjen e regjimit të terrorit dhe shtypjes në Iran. T’i presin kokën oktapodit dhe të mos e lejojnë të rritet. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm më informoi se sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare Lariani dhe shefi i Basij-it u eliminuan gjatë natës dhe iu bashkuan Khameneit dhe pjesës tjetër të Boshtit të së Keqes, të cilët janë eliminuar dhe ndodhen në thellësitë e ferrit.”, - theksoi ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz.
Komuniteti ndërkombëtar ka bërë thirrje për ulje të tensioneve dhe paralajmëron për rrezikun e zgjerimit të mëtejshëm të konfliktit në më shumë vende të Lindjes së Mesme.
ARMEND MURSELI
