Maqedoni

Debat publik për propozim-ligjin për Prokurorinë Publike, evidentohen avantazhe dhe lëshime në ligj

17.03.2026 15:10

Nisi debati publik për propozim-ligjin për Prokurorinë Publike....

Në Komisionin për Sistem politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive nisi debati publik për propozim-ligjin për Prokurorinë Publike përmes së cilit parashikohen reforma themelore në organizimin e sistemit prokurorial. Prokurorët publikë duhet të jenë faktorë të vërtetë në këtë shtet, duke i mbështetur fillimisht ata përmes pagave dhe pavarësisë financiare, thanë pjesëmarrësit e fellës së avokatisë dhe disa prokurorë. 
 
“Dinjiteti i prokurorëve publikë fillon nga vetë paga. Ekzistojnë disa dispozita ligjore që garantojnë se paga e prokurorëve publikë nuk duhet të ulet. Megjithatë, ekziston një rekomandim për nivelin e të ardhurave publike për Prokurorinë Publike dhe ajo përqindje nuk është respektuar. Prokuroria nga e cila vij reagon ndaj kësaj gjendjeje dhe kundërshton të gjitha tentimet që paga e prokurorit publik, qoftë përmes koeficientit apo në ndonjë mënyrë tjetër, të ulet. Pse? Sepse një tentim i tillë do të ndikojë drejtpërdrejt në dinjitetin e prokurorëve.”, - deklaroi prokurorja publike, Lidija Rejçeviq.
 
Me ndryshimet e fundit parashikohen procedura disiplinore më të qarta dhe të strukturuara, me kategorizim të shkeljeve në tre nivele, masa përkatëse dhe afate konkrete, si dhe kritere të përcaktuara për formimin e komisionit disiplinor.
 
“Në këtë propozim-ligj i kemi përpunuar dhe shqyrtuar detajisht edhe procedurat disiplinore, pasi më herët ndodhte që procedurat e ngritura disiplinore ndaj prokurorëve të zgjasnin me vite, pa pasur afate konkrete, ose të manipuloheshin, në disa raste për t’i mbrojtur, e në raste të tjera për të ushtruar presion.”, - theksoi profesoresha universitare, Aleksandra Deanovska Trendafillovska.
 
Profesorët dhe avokatët vënë në dukje se propozim-ligji sjell përparim në forcimin e Prokurorisë Publike dhe sundimit të së drejtës, por sugjerojnë rishikimin e kufizimit të përvojës prej 10 vitesh për të përfshirë edhe profesorët e fakulteteve juridike me përvojë në organet gjyqësore.
 
“Unë kam disa vërejtje për nenin 62, ku parashihet se prokuror publik mund të bëhet një person që ka së paku 10 vite përvojë pune, ndërkohë që kjo mundësi u jepet edhe gjyqtarëve, por jo edhe profesorëve të fakulteteve juridike që ligjërojnë në të drejtën penale. Ose të riformulohet ndryshe, duke paraparë që profesor universiteti, i cili më herët ka punuar së paku 10 vite në organet gjyqësore, të ketë të drejtë të konkurrojë. Pse atyre t’u mohohet e drejta për të konkurruar?”, - u shpreh profesori universitar, Qebir Avziu. 
 
“Vlerësoj se miratimi i këtij projektligji do të paraqesë një përparim të konsiderueshëm në përforcimin e sundimit të së drejtës, si dhe të pavarësisë dhe pozitës së Prokurorisë Publike, të cilën e konsideroj si një garantues të rëndësishëm për mbrojtjen e interesit publik. Shpresoj që përmes kësaj nisme të arrihet ndikim real dhe, njëkohësisht, të rritet besimi në këtë institucion, i cili aktualisht është vetëm 2 për qind.”, - deklaroi avokatja, Ruzhica Nikollovska.
 
“Vërejtja ime lidhet me nenin 22, paragrafi 2, ku parashihet se nëse një prokuror publik nuk pajtohet me propozimet, mendimet, vërejtjet dhe sugjerimet e kolegjiumit, lënda që e ka në punë mund t’i caktohet një prokurori tjetër. Kjo ngre pyetje nëse një dispozitë e tillë mund të krijojë rrezik dhe dyshime për veprim subjektiv të prokurorëve ndaj lëndëve që i kanë në punë.”, - theksoi profesoresha universitare, Arta Mehmeti Ademi.
 
Debati publik vazhdoi pasi Kuvendi kishte vendosur më parë nevojën për miratimin e ligjit, duke përshpejtuar fazën e parë parlamentare. Ligji synon modernizimin e kuadrit ligjor, vendosjen e një sistemi të qartë meritor për përzgjedhjen, avancimin dhe vlerësimin e prokurorëve, forcimin e pavarësisë së tyre, si dhe rritjen e transparencës përmes seancave publike të Këshillit të Prokurorëve, prezantimit të programeve të kandidatëve dhe publikimit të biografive. Njëkohësisht, Kuvendi nesër duhet të votojë edhe për propozimin për zgjedhjen e Nenad Saveskit si Prokuror i ri Publik i Shtetit.
 
REXHEP QAMILI