Ekonomi

Shtrenjtimi i karburanteve, LSDM me ligje anti-krizë në Kuvend

17.03.2026 15:31

Socialdemokratët do të propozojnë në Kuvend pako të ligjeve pas rritjes së dytë të çmimeve të karburanteve...

Socialdemokratët do të propozojnë në Kuvend pako të ligjeve pas rritjes së dytë të çmimeve të karburanteve, në mungesë të ndërhyrjes së Qeverisë. Kryetari Venko Filipçe theksoi se qytetarët për vetëm një javë me çmimoren e re të naftës kanë paguar tre milionë euro më shumë, ndërkaq me shtrenjtimin e ri shifra javore do të shkojë mbi 4 milionë euro. Filipçe tha se Qeveria e ka me patjetër të reagojë dhe të pranojë ligjet e tyre, që qytetarët të mos prekin fundin.
 
“E para, ligj për uljen e përqindjes së TVSh-së nga 18% në 5% për karburantet, uljen e akcizës për 4 denarë. Ligji i tretë ka të bëjë me heqjen e TVSh-së për produktet bazë dhe ligji i katërt ulja e çmimeve të taksave rrugore që qytetarët paguajnë gjatë kalimit nëpër autostradat e shtetit.”, - deklaroi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
 
VMRO – DPMNE: Qeveria me masa konkrete
 
Nga VMRO – DPMNE thonë se Filipçe nuk është i denjë që të flasë për mirëqenien e qytetarëve.
 
“E pamë protestën gjatë fundjavës, përjetuan debakël dhe nuk morën mbështetjen e qytetarëve. Nëse i presim zgjidhjet e Venko Filipçes, atëherë qytetarët do të duhet të presin gjatë kohë. Andaj Qeveria po e ndjek situatën dhe gjatë ditës do të dalë me qëndrim.”, - theksoi Brane Petrushevski nga VMRO – DPMNE.
 
BDI: Çmimet mund të rriten mbi 10%
 
Nga BDI të cilët paraprakisht kanë propozuar kufizime të çmimeve të produkteve, parandalimin e keqpërdorimeve me çmimet, si dhe rritje të pagave minimale për 3.500 denarë, janë shprehur që nëse nuk merren masa konkrete, atëherë çmimet në përgjithësi mund të rriten mbi 10%.
 
“Kjo Qeveri nuk ka kapacitetet e duhura për të menaxhuar krizat që ndodhin edhe 2.000 kilometra larg vendit. Për këtë arsye, Qeveria duhet menjëherë të shkarkojë ministrin e Ekonomisë, i cili duket se nuk ka as vizion e as plan për menaxhimin e krizave ekonomike.”, - u shpreh Albana Mustafa nga BDI.
 
Me rritjet e fundit një litër EUROSUPER BS-95 kushton 86.50 denarë, ndërsa EUROSUPER BS-98 kushton 88.50 denarë. Çmimi i ri i EURODIESEL ka shkuar në 92 denarë për litër.
 
MERAL ISMAILI