Maqedoni
Shqyrtohen propozimet për kryetar të KRrE-së, Ristovi merr përkrahjen e KÇZE-së
17.03.2026 15:51
Për këtë post të rëndësishëm në shtet kishin aplikuar vetëm dy kandidatura...

Seancë e Komisionit për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve ku në rend të ditës ishte shqyrtimi i propozimeve për Kryetar të ri të Komisionit Rregullator të Energjisë, nuk kaloi pa diskutime dhe polemika. Për këtë post të rëndësishëm në shtet kishin aplikuar vetëm dy kandidatura, edhe atë Aco Ristovi, ish-kryetar i Komunës së Radovishit, dhe Shamil Rexhepi, një punonjës aktual i vetë Komisionit të Energjisë, por sipas deputetëve shqiptarë të opozitës, shumica ka paraparë kritere të çuditshme, me të vetmin qëllim për ta favorizuar një kandidat të tyre.
“Ligjvënësi ka paraparë që ky institucion të jetë profesional i pavarur, dhe i mbrojtur nga ndikimet politike. Megjithatë në procesin që po zhvillohet janë ngritur shqetësime serioze që nuk mund të anashkalohen. Megjithatë në shpalljen e konkursit kriteret janë kufizuar, një praktik, një formulim i tillë ngushton rrethin e kandidatëve, dhe përjashton profile profesionale. Me këtë qasje mendoj se dukshëm dëmtoni besimin e qytetarëve sidomos në institucionet e pavarura, dhe krijohet përshtypje se proceset publike nuk zhvillohen mbi bazën e meritës dhe profesionalizimit, por mbi bazën e interesave politike.”, - deklaroi deputetja e BDI-së, Arbana Pasholli.
Por, kryetari i Komisionit për Zgjedhjet dhe Emërimet, Gjorgjija Sajkoski, ka reaguar në këto pretendime, duke theksuar se kriteret kanë qenë të qarta dhe nuk ka pasur kurrfarë shkelje të procedurave.
“Në vet ligjin për energjetikë, unë disa herë e kam cituar ligjin në fjalimet e mia dhe si duhet të duket KRrE-ja, dhe unë mendoj se të gjithë ne po punojmë në drejtim që ta respektojmë ligjin, ndërsa nëse ju insistoni që ne tani mos t’i respektojmë këto predispozita ligjore, atëherë kjo nuk është në rregull dhe nuk do të lejojmë.”, - theksoi kryetari i Komisionit për Zgjedhjet dhe Emërimet, Gjorgjija Sajkoski.
Ndërsa, deputetja e ASh-së, Ilire Dauti, theksoi se tendenca në këtë emërim është bërë pikërisht kur në konkurs i vendosën t’i largojnë kandidaturat që kanë përfunduar Juridikun ose drejtimin Ekonomik. Në fund kryetari i Komisionit, propozimin e Aco Ristovit për kryetar të KRrE-së e nxori në votim dhe i njëjti me 7 vota pro, 2 kundër dhe asnjë abstenim mori mbështetjen e anëtarëve të Komisionit. Njoftimi për zgjedhjen e kryetarit të ri të KRrE-së u bë pas dorëheqjes së kryetarit të deritanishëm, Marko Bislimoskit.
FITIM KRYEZIU
