Botë

Turqi, shpërthim në një miting opozitar, 6 të plagosur. Kryeministri Davutoglu dënon akte të tilla

05.06.2015 18:49

Një shpërthim, që mesa duket ka ndodhur për shkak të një defekti elektrik...

Një shpërthim, që mesa duket ka ndodhur për shkak të një defekti elektrik, ka lënë të plagosur disa persona të mbledhur në një miting të partisë opozitare në qytetin turk të Diyarbakirit, me shumicë kurde, gjatë së premtes, vetëm pak ditë përpara mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare.
 
Pamjet televizive tregojnë njerëz të shumtë që nxirren me barrela, pak pasi organizatorët e mitingut në favor të “Partisë Popullore Demokratike” (HDP) të kurdëve njoftuan me anë të altoparlantëve se shpërthimi ishte shkaktuar nga një defekt në një prej gjeneratorëve të energjisë elektrike, duke u bërë thirrje njerëzve të ruanin qetësinë.
 
Shpërthimi preku edhe vendin ku po mbahej mitingu, pikërisht përpara kreut të HDP-së, Selahattin Demirtas, teksa ky i fundit po bëhej gati për të folur përpara publikut.
 
Pamjet filmike treguan gjithashtu re të dendura tymi dhe, nga sa raportohet paraprakisht, 6 persona janë plagosur prej shpërthimit, të paktën siç njofton agjencia e lajmeve “Anatolia”.
 
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kryeministrit turk, Ahmet Davutoglu, i cili është shprehur se e ka ende të paqartë nëse shpërthimi ishte një sulm apo një aksident.
 
Davutoglu, i cili ka qenë duke mbajtur fjalim në një miting në qytetin fqinj të Gaziantepit, pikërisht përpara zgjedhjeve parlamentare të së dielës, tha se kundërshton me forcë çdo lloj eventi të dhunshëm si ky i kësaj të premteje.
 
Siguria ka qenë e lartë në të gjitha mitingjet politike të HDP-së, pasi tensionet janë rritur së tepërmi përpara zgjedhjeve të së dielës. Të enjten, një sherr plasi në qytetin verior të Erzurumit, pasi nacionalistët u përplasën me mbështetësit prokurdë në mitingun e Demirtas.
 
Ky i fundit ka bërë të ditur se partia e tij ka qenë shënjestër e më shumë se 70 sulmeve të dhunshme gjatë kësaj fushate elektorale. Partia prokurde HDP është shumë pranë pragut të 10 përqindëshit, i mjaftueshëm për të siguruar futjen në Parlamentin turk, për të hyrë kështu në histori si e para parti prokurde që arrin këtë objektiv.
 
E nëse do ta arrinte këtë objektiv, ajo do t’i privonte shumicën absolute partisë në pushtet “AK” të Erdoganit, të cilën e ka shijuar që prej ardhjes në pushtet në vitin 2002.