Përmbysje e madhe në Lisbonë
18.03.2026 11:36
Sportingu i Lisbonës u kualifikua për në çerekfinalet e Championsit...

Sportingu i Lisbonës u kualifikua për në çerekfinalet e Championsit, madje me një mrekulli të vërtetë, duke përmbysur humbjen e rëndë 0-3 të pësuar në fushën e Bodo Glimtit. Skuadra norvegjeze erdhi në Portugali me një avantazh të madh, por yjet vendas ishin të frymëzuar, madje jashtëzakonisht shumë. Edhe pse nuk u shënua tepër shpejt, rrjeta e parë erdhi në 34’, valanga nuk mbaroi deri në triumf.
Së pari shënoi Gonsalo Injasio, pastaj Pedro Gonsalves në 61’, Luis Suarez me penallti në 78’. Pas shifrave 3-0, u luajtën dy kohët shtesë nga 15 minuta secila dhe Sportingu nuk lejoi që të shkohej deri tek penalltitë. Epërsia e thellë solli dy rrjeta të tjera nga Maksimiliano Arauho në 92’ dhe Rafael Nel në minutën e parë shtesë, pra në të 121-ën.
Të mbiquajturit “Luanët” ishin vërtet lart, me 59 për qind mbajtje topi, 36 gjuajtje gjithsej, dhe 14 prej të cilave në kuadrat. Çerekfinalet e Championsit ishin arritur nga Sportingu për herë të fundit në 1983, nga brezi I shquar me Zhordaon, Andraden, Zhuniorin, kapitenin Fernandez e të tjerë.
