Maqedoni
Alergjitë e pranverës mbushin ambulancat, Mjekët: Numri i fëmijëve me alergji po rritet
18.03.2026 14:13
Lulëzimi i pemëve dhe dalja e gjelbërimit ka sjellë me vete edhe probleme për qytetarët që janë të ndjeshëm nga alergjitë e pranverës....

Lulëzimi i pemëve dhe dalja e gjelbërimit ka sjellë me vete edhe probleme për qytetarët që janë të ndjeshëm nga alergjitë e pranverës. Poleni prek veçanërisht pacientët me astmë, disa kanë probleme me kruarje të syve, rrjedhje të hundëve, teshtitje, si dhe vështirësi në frymëmarrje, theksojnë mjekët. Ata thonë se për evitimin e përkeqësimit të gjendjes shëndetësore është e rëndësishme të fillohet trajtimi në kohë.
"Meqenëse kemi edhe pacientë që vijnë vonë kur një alergji përkeqësohet në aspektin e zhvillimit të një infeksioni bakterial ose viral, problemi është më i vështirë për t'u zgjidhur këtu. Çdo përkeqësim do të thotë që ne shpenzojmë kohë, para dhe ilaçe për ta rikthyer gjendjen e pacientit në normalitet dhe ai do të mbetet në kortikosteroide dhe antihistaminikë për një periudhë më të gjatë kohore.", - deklaroi mjekja, Mira Atanasova.
Mjekët kërkojnë që ilaçet e reja moderne për alergji të vendosen në listën pozitive, sepse me to, alergjitë kalojnë më lehtë dhe nuk shkaktojnë përgjumje.
"Kemi njerëz që punojnë në makineri, me automjete, kështu që ata duhet të kenë përqendrim të shtuar gjatë qëndrimit të tyre në punë. Fondi ka vetëm ilaçe të gjeneratës së vjetër. I bëj apel fondit që të na lejojë ne, mjekëve të familjes, të kemi një recetë për antihistaminikë të gjeneratës së re.", - theksoi mjekja, Mira Atanasova.
Edhe pse alergjitë janë më të theksuara gjatë kësaj periudhe, ato janë të pranishme gjatë gjithë vitit, theksojnë mjekët, sipas të cilëve, reagimi në kohë është çelësi për përballimin më të lehtë të alergjive pranverore.
VLORA LATIFI TOPOJANI
