Botë
U vranë dy figurat kyçe të Iranit, hakmarrje ndaj Izraelit dhe objektivave në rajon
18.03.2026 14:41
Tensionet në Lindjen e Mesme janë përshkallëzuar ndjeshëm.

Pas vrasjes së dy figurave më të rëndësishme të Iranit, Ali Larixhani, ish-kryetar i Parlamentit dhe një nga strategët kryesorë politikë të vendit, si dhe Qasem Soleimani, komandant i Forcës Quds dhe figurë kyçe ushtarake me ndikim rajonal, tensionet në Lindjen e Mesme janë përshkallëzuar ndjeshëm. Irani konfirmoi vdekjen e tyre dhe paralajmëroi përgjigje të menjëhershme, duke nisur sulme intensive hakmarrëse ndaj Izraelit dhe objektivave në vendet fqinje. Janë shkatërruar disa objekte në Izrael, ndërsa një dron ka rënë brenda kompleksit të ambasadës amerikane në Bagdad. Raketat goditën objektiva pranë një baze australiane në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke rritur frikën për përshkallëzim të konfliktit.
“Ka pasur dëme të vogla në bllokun e akomodimit dhe në një objekt mjekësor si pasojë e një zjarri të shkaktuar nga goditja e një rakete. Mund të konfirmoj se nuk ka personel australian të lënduar dhe të gjithë janë të sigurt.”, - deklaroi kryeministri i Australisë, Entoni Albanese.
Izraeli vazhdoi sulmet ndaj Iranit dhe grupeve pro-iraniane në Liban. Netanjahu pohon se eliminimi i Larixhanit kishte për qëllim dobësimin e regjimit në Teheran.
“Ne po e dobësojmë këtë regjim me shpresën se do t’i japim mundësi popullit iranian ta rrëzojë atë. Kjo nuk do të ndodhë menjëherë dhe nuk do të jetë e lehtë. Por, nëse këmbëngulim, do t’u japim një shans që ta marrin fatin në duart e tyre.”, - theksoi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
Shtetet e Bashkuara sulmuan gjithashtu pozicionet raketore iraniane pranë Ngushticës së Hormuzit, ndërsa Trampi përballet me vështirësi për shkak të mungesës së mbështetjes nga aleatët dhe dorëheqjes së Xho Kent, një figure kyçe në administratën e tij. Trampi kritikoi ashpër NATO-n, duke paralajmëruar se mungesa e mbështetjes vë në pikëpyetje besueshmërinë e aleancës.
“Pavarësisht se i kemi ndihmuar kaq shumë, ata nuk duan të na ndihmojnë. Mendoj se NATO-ja bën një gabim shumë të madh. Pyes veten nëse NATO-ja do të jetë ndonjëherë aty për ne. Ky ishte një test i madh, nuk na duhen, por duhej të ishin aty.”, - u shpreh presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Përveç kritikave ndaj NATO-s, Trampi shtyu edhe vizitën në Kinë, duke vazhduar të ushtrojë presion ndaj fuqive botërore lidhur me kontrollin e Ngushticës së Hormuzit. Franca njoftoi gatishmërinë për të ndihmuar në sigurimin e lundrimit, por vetëm pasi të ndalen bombardimet.
“Nuk do të marrim pjesë në operacione për rihapjen ose çlirimin e Ngushticës së Hormuzit, por sapo situata të qetësohet, jemi të gatshëm, së bashku me vendet e tjera, të marrim përgjegjësi.”, - deklaroi presidenti i Francës, Emanuel Makron.
Irani deklaron se është duke mbrojtur veten dhe mohon përgjegjësinë për ndërprerjen në Ngushticën e Hormuzit.
“Irani nuk kishte për qëllim ta mbyllte Ngushticën e Hormuzit, por ajo është mbyllur sepse ne duhet të mbrohemi. Nuk donim të sulmonim as vendet fqinje, por armiku lëshon raketa prej andej, a duhet të rrimë duarkryq? Kjo është një e drejtë e jona e patjetërsueshme.”, - theksoi kryetari i Parlamentit iranian, Mohamad Bagher Ghalibaf.
Ndërkohë, dy anije me flamur indian që transportonin gaz të lëngshëm arritën të kalojnë ngushticën dhe mbërritën në Indi. OKB-ja bëri thirrje për ndërprerjen e luftimeve në Lindjen e Mesme dhe për një zgjidhje diplomatike.
FARIJE DAUTI BAKIU
