Maqedoni

Kuvend, Nenad Saveski u zgjodh kryeprokuror i ri

18.03.2026 15:05

Deputetët zgjodhën Nenad Saveskin kryeprokuror të ri të shtetit, me 66 vota të shumicës parlamentare...

Deputetët zgjodhën Nenad Saveskin kryeprokuror të ri të shtetit, me 66 vota të shumicës parlamentare, dy vota kundër të deputetëve të krahut të Taravarit, si dhe 8 abstenimet e Frontit Evropian. Opozita shqiptare kërkoi që kryeprokurori i ri të jetë në shërbim të drejtësisë e sidomos të qytetarëve shqiptarë, pa u ndikuar nga politika.
 
“Ky prokuror do të duhet të merret me këto raste që të dëshmojë se mundet të riaktualizohen fatkeqësitë e njerëzve, dhimbjet e njerëzve dhe drejtësia e atyre që kanë humbur jetë të vijë në peshën e duhur dhe në pozicionin e duhur për të gjithë flasë për të tria rastet: “Alfa”, “Monstra” dhe Koçani.”, - deklaroi Skender Rexhepi nga Fronti Evropian.
 
Për deputetin Halil Snopçe, prokurori i ri duhet të procesuojë lëndët e jo të vazhdojë të jetë institucion i kotë.
 
“Rasti “Monstra”, rasti “Alfa”, ku disa njerëz po vuajnë burgun e përjetshëm, e nëse nuk janë fajtorë, a thuhet se ka dëshmi edhe incizime, si mund të tolerohet diçka e tillë. Prandaj, thash njerëzit janë të prirë të besojnë se kot i kemi, do të vazhdojë funksionaliteti së koti i këtyre instancave koti, njësoj sikurse prokuroria speciale që ishte shpresa më e madhe.”, - theksoi deputeti i ASh-së, Halil Snopçe.
 
Përplasja më e madhe ndodhi midis deputetes së LSDM-së, Jovanka Trençevska, me deputetët e VMRO-DPMNE-së. Palët shkëmbyen akuza të ndërsjella se kush ka ngulfatur më shumë sistemin e drejtësisë, pasi Trençevska tha se emërimi i prokurorit të ri edhe përkundër biografisë cilësore, paraqet hap i parë i kontrollit partiak ndaj Prokurorisë.
 
“A do të jepni dorëheqje nëse Qeveria në bazë të nenit 100, dispozita 7 e shkurton buxhetin, pasi që do të keni hapur hetime për krimin e Qeverisë aktuale? Si planifikoni ta ruani autonominë, kur vini në vendin e një personi i cili publikisht u eliminua me kërcënime televizive nga kryeministri, pasi ai refuzoi të jetë ekzekutues partiak?”, - u shpreh deputetja e LSDM-së, Jovanka Trençevska.
 
“Ju me flamur evropian për pesë orë miratuat ligj për prokurori publike. Dhe, ky është dallimi, ju ashtu i shihnit se duhet të ndodhin punët. Për ju është shokuese kur dikush nuk dëshiron që të instalojë prokurorë publikë që nuk i njeh.”, - deklaroi deputeti i VMRO – DPMNE-së, Bojan Stojanovski.
 
Nuk mungoi as reagimi i zëvendëskryeministrit të Qeverisë, Nikollovski, për të cilin socialdemokratët janë jo të denjë për të folur për prokurori transparente.
 
“Prokurori paraprak kishte mandat një vit e gjysmë. Për këtë periudhë i vendoste rastet në sirtarë, nuk zgjidhte lëndë, nuk vepronte dhe i mbronte miqtë tuaj të ish-kryesisë së LSDM-së. Kur flasim për kontrollin, një pjesë e madhe e këshillit gjyqësor dhe të prokurorëve kontrollohet direkt nga Strumica, nga Zoran Zaev.”, - theksoi zëvendëskryeministri, Aleksandar Nikollovski.
 
Nenad Saveski vjen në postin e kryeprokurorit nga Gjykata Penale e Shkupit, sektori për krim të organizuar. Në krye të Prokurorisë paraprakisht ishte Ljupço Kocevski, i cili u zgjodh në vitin 2024, por u dorëhoq pasi u përball me kritika të shumta nga Qeveria për efikasitetin e ulët në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
 
MERAL ISMAILI