Botë

Vjenë, tre shtetas të Kosovës humbën jetën

18.03.2026 15:22

Katër persona kanë mbetur të vdekur, tre prej të cilëve shtetas të Kosovës...

Katër persona kanë mbetur të vdekur, tre prej të cilëve shtetas të Kosovës si pasojë e rrëzimit të skeleve në një kantier ndërtimi në Vjenë të Austrisë. 
 
"Deri tek aksidenti ka ardhur gjatë betonimit të konstruksionit në kulmin e një ndërtese, i cili ishte shembur duke rënë bashkë me skelën në momentin kur pesë punëtorët ndodheshin duke punuar. Përkundër përpjekjeve të emergjencës dhe ekipeve të shpëtimit, ata u nxorën pa jetë nën gërmadha.”, kanë bërë të ditur nga policia e Vjenës, duke shtuar se së bashku me Inspektoratin e Punës kanë filluar hetimet në gjitha drejtimet për të gjetur shkakun e fatkeqësisë.
 
Fatkeqësinë e ka konfirmuar edhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Vjenë, e cila ka njoftuar se viktimat janë Pajtim Bajrami, 26 vjeç, Asllan Musliu 49 vjeç dhe Istref Zekaj. 
 
“Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet austriake, si dhe me familjarët e viktimave, me qëllim të ofrimit të mbështetjes së nevojshme dhe koordinimit të mëtejmë për të gjitha procedurat përkatëse”.  
 
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është në koordinim me familjarët për kthimin e trupave në Kosovë.
 
“Që nga marrja e informacionit, institucionet e Republikës së Kosovës, përmes kanaleve diplomatike dhe konsullore, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në koordinim të ngushtë me familjarët e viktimave, për të ofruar mbështetjen e nevojshme dhe për të lehtësuar procedurat përkatëse për kthimin e trupave të tyre në Kosovë.”, bëjnë të ditur nga Ministria e Jashtme.
 
Ngushëllime për familjet e viktimave në Austri kanë shprehur edhe kryeministri Albin Kurti dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
 
GYLTENE SINANI