Maqedoni
VMRO-DPMNE: LSDM dhe LSM dëshirojnë tensione politike
18.03.2026 15:56
Sipas VMRO-së, tentimet e tyre deri më tani kanë qenë të dështuara...

VMRO-DPMNE ka akuzuar partinë maqedonase në opozitë LSDM dhe Lidhjen e Sindikatave të Maqedonisë, se po tentojnë të krijojnë tensione politike në vend. Por, sipas VMRO-së, tentimet e tyre deri më tani kanë qenë të dështuara, pasi nuk u përkrahën nga qytetarët dhe punëtorët.
“LSD dhe LSM po humbasin gjithnjë e më shumë edhe mbështetjen e vogël nga qytetarët, përpjekjet për të manipuluar punëtorët nuk po kalojnë pa u vënë re. Në vend që punëtorët e vërtetë të ishin në protestë, protesta e LSM-së u drejtua nga udhëheqjet e degëve lokale të LSD-së, të cilët ishin në ballë me bluza partiake. Autobusët e organizuar nga njerëz të LSD-së, të cilët udhëtuan bosh për në Shkup janë provë se protesta e LSM-së ishte e pasuksesshme. Kjo ka vërtetuar se punëtori nuk e mbështet këtë teatër politik të LSD-së dhe LSM-së, dhe ata po humbasin besimin gjithnjë e më shumë. LSM, e udhëhequr nga Trendafillov, me vetëdije shkon për të mbrojtur interesat e LSD-së, dhe jo për të mbrojtur të drejtat e punëtorit.”, - deklaroi Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.
LSDM: VMRO-DPMNE tenton ta përçajë LSDM-në
Por, sipas LSDM-së, pas publikimit të skandaleve kriminale, VMRO-DPMNE ka hartuar një platformë për shkatërrimin e LSDM-së nga brenda.
“VMRO u përpoq ta shkatërronte përsëri LSDM-në nga brenda. E kapur në skandale kriminale, pa asnjë rezultat pas tyre. Sondazhet e fundit të kryera nga vetë VMRO tregojnë se Qeveria ka një rënie të madhe të mbështetjes dhe vlerësimi i LSDM-së është rritur. Por, ne nuk do të lejojmë që LSDM të shembet. Këto përpjekje të dëshpëruara nga VMRO-ja nuk do të kenë sukses. Ne jemi të bashkuar pas luftës kundër qeverisë kriminale të Mickoskit dhe VMRO-së. LSDM do të vazhdojë të publikojë të vërtetën për çdo krim të kryer nga Qeveria që vjedh pa turp qytetarët dhe do ta luftojë këtë qeveri kriminale me të vërtetën.”, - theksoi Bogdanka Kuzeska nga LSDM.
BDI: Pushteti i pa interesuar për qytetarët
Ndërkohë nga BDI kanë akuzuar pushtetin se po tregon mosinteresim total ndaj qytetarëve.
“Mosndërhyrja e Qeverisë po u kushton qytetarëve dhe bizneseve rreth 685.000 euro në ditë, ose mbi 5.15 milionë euro në javë. Vetëm gjatë dy javëve të fundit, qytetarët kanë paguar mbi 10 milionë euro më shumë për derivate të naftës. Rritja e çmimeve prej 21 denarësh për litër ka goditur drejtpërdrejt qytetarët që udhëtojnë drejt Shkupit. Prandaj, kërkojmë masa urgjente nga Qeveria për të mbrojtur qytetarët dhe ekonominë nga kjo barrë e papërballueshme.”, - theksoi Imrane Veliu Aliu nga BDI.
Por, nga Qeveria vazhdojnë të pohojnë se rritja e çmimit të derivateve të naftës vjen për shkak të rritjeve të çmimeve në bursat botërore dhe shpresojnë se kjo situatë sa më shpejt të stabilizohet. Nga Qeveria njëherësh kanë thënë se po e shqyrtojnë mundësinë e uljes së TVSh-së nga 18% në 10%, por nuk kanë saktësuar se kur do të merret një vendim i tillë.
FITIM KRYEZIU
