Maqedoni
Raporti për RMV-në, Vaic kërkon sqarim për Protokollin e dytë
18.03.2026 16:10
Vaic përkujton se mosmarrëveshjet dypalëshe ndërmjet vendeve duhet të zgjidhen...

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Maqedoninë, Tomas Vaic, ka paraqitur një amendament në raportin e tij të fundit, me çka kërkon shpjegim dhe sqarim nga Komisioni Evropian për të gjitha paqartësitë që lidhen me Protokollin e dytë të Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë dhe Miqësisë me Bullgarinë, i cili është pjesë e Kornizës Negociuese të BE-së dhe lidh progresin e vendit me përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë. Kjo vjen pasi eurodeputetët bullgarë e theksojnë Protokollin si një detyrim për vendin për të filluar negociatat, përveç amendamenteve kushtetuese. Vaic përkujton se mosmarrëveshjet dypalëshe ndërmjet vendeve duhet të zgjidhen përmes dialogut të hapur dhe bashkëpunimit.
“I bëjmë thirrje shërbimit juridik të Këshillit që urgjentisht të sqarojë të gjitha paqartësitë lidhur me statusin ligjor të protokollit të dytë dypalësh të Traktatit për Fqinjësi të Mirë ndërmjet dy vendeve, në lidhje me procesin e anëtarësimit.”, - amendamenti 108, i paraqitur nga Tomas Vaic.
Bullgarët të pakënaqur, dorëzojnë dhjetëra amendamente
Eurodeputetët bullgarë kanë kërkuar që raporti vjetor për Maqedoninë e Veriut të përfshijë një pjesë të veçantë për vlerësimin e marrëveshjeve me Bullgarinë dhe Greqinë. Me amendament tjetër të posaçëm eurodeputeti bullagr Kovaçev ka kërkuar nga KE-ja që ndjekë dhe vlerësoj zbatimin e konkluzioneve dhe rekomandimeve të komisionit të përbashkët historik.
“I bën thirrje Komisionit që të përfshijë në raportin e tij vjetor për Maqedoninë e Veriut një seksion të veçantë dhe të përsëritur, i cili vlerëson zbatimin e Traktatit të Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit me Bullgarinë dhe Marrëveshjes së Prespës me Greqinë, duke përfshirë tregues të qartë, afate kohore dhe një vlerësim të progresit të matshëm në zbatimin e tyre.”, - amendamenti 143, i paraqitur nga Andrej Kovaçev.
Në adresë të Parlamentit Evropian kanë arritur edhe disa amendamente të eurodeputetëve grekë, që lidhen me zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Prespës. Raporti për Maqedoninë e Veriut në PE pritet të votohet në muajin maj.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
