Rajon

Raporti i “Freedom House”: Shqipëria dhe Kosova janë vende pjesërisht të lira

19.03.2026 11:11

Kosova dhe Shqipëria janë cilësuar si vende “pjesërisht të lira” në raportin më të fundit vjetor të organizatës “Freedom House” me seli në Uashington....

Kosova dhe Shqipëria janë cilësuar si vende “pjesërisht të lira” në raportin më të fundit vjetor të organizatës “Freedom House” me seli në Uashington. 

Megjithatë, Kosova ka shënuar një përmirësim të vogël në Raportin e vitit 2026 për Lirinë në Botë, duke u vlerësuar me 61 pikë nga 100, një më shumë se një vit më parë. Në raportin e publikuar më 19 mars thuhet se në Kosovë “gjykatat kanë nxjerrë vendime që dëshmojnë pavarësinë e tyre, megjithëse janë përballur me trysni të madhe politike”.
 
Nga vendet e rajonit, Serbia qëndron më së keqi, pasi vlerësohet me 53 pikë, ndërsa Bosnja e Hercegovina me 54 pikë.
 
Shqipëria, ndërkohë, vlerësohet më së larti, me 69 pikë, e ndjekur nga Mali i Zi me 68 pikë dhe Maqedonia e Veriut me 67 pikë.
 
Edhe Shqipëria shënoi përparim për një pikë, krahasuar me raportin e vitit të kaluar. Raporti “Liria në Botë” përfshin vlerësime dhe raporte për vendet mbi të drejtat politike dhe liritë qytetare në 195 vende dhe 13 territore në mbarë botën. Raporti i këtij viti mbulon zhvillimet nga 1 janari 2025 deri më 31 dhjetor 2025.