Rajon
Kurti: Stërvitjet e ushtrisë serbe në kufi, provokim
19.03.2026 13:51
Kurti ka reaguar ndaj stërvitjeve të ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ndaj stërvitjeve të ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën, duke i cilësuar ato si provokim dhe përpjekje për të cenuar integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës. Por, Kurti tha se institucionet e sigurisë janë të përgatitura dhe se kufiri i Republikës së Kosovës është i mbrojtur në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe KFOR-in.
“Ky është një provokim i Serbisë, e cila natyrisht që dëshiron ta cenojë integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror të Republikës sonë. Bëhet fjalë për njësi të cilat e kanë trajnuar kryekriminelin dhe kryeterroristin Milan Radoiçiq, në bazat e stërvitjes për vrasjen e policit të Kosovës, heroit Afrim Bunjaku. Por, në të njëjtën kohë tregon edhe pafuqinë e tyre, sepse në Kosovë më nuk ka struktura ilegale të cilat mund ta cenojnë stabilitetin institucional, integritetin territorial, sovranitetin shtetëror, paqen dhe sigurinë për të gjithë. Dhe nga kjo pafuqi e tyre që të bëjnë diçka brenda Kosovës tash kanë shkuar aty rrotull kufirit edhe përpiqen që të demonstrojnë forcën.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ligji për të huajt, Kurti: Arsimi dhe shëndetësia brenda ligjeve të Kosovës
Kurti bëri të ditur se lidhur me këtë çështje u është drejtuar faktorëve ndërkombëtarë. Sa i përket Ligjit për të huajt, Kurti tha se bëhet fjalë për zbatim gradual dhe në bashkëpunim me Bashkimin Evropian. Ai theksoi se procesi do të zhvillohet në mënyrë legale dhe me afate të përcaktuara për pajisje me dokumente të Republikës së Kosovës.
“Ne nuk dëshirojmë që pacientët serbë të ngelen pa trajtim shëndetësor. Ne nuk dëshirojmë që nxënësit serbë të ngelen pa mësim. Por, kjo duhet të bëhet në mënyrë legale. E në mënyrë legale do të thotë përbrenda kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Republikës së Kosovës, dhe në këtë aspekt po punojmë duke dhënë edhe një dritare dymbëdhjetë mujore, përkatësisht tremujore për qëndrim, pastaj për punë dhe për pajisje me dokumentet e Republikës së Kosovës.”, - theksoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Sa u përket pretendimeve se këto lëshime janë një hap drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Kurti tha se ato pretendime janë të pavend, pasi qe “zaednica” nuk ekziston edhe pas pesë vitesh prej kur ai e drejton Qeverinë.
GYLTENE SINANI
