Maqedoni

Kryeprokurori Saveski jep betimin e tij: Interesi i partive nuk është interesi im

19.03.2026 14:09

Kryeprokurori i ri i shtetit me dhënien e betimit të tij u zotua se do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe larg ndikimit politik edhe pse një ditë më parë u zgjodh vetëm me 66 vota të shumicës...

Kryeprokurori i ri i shtetit me dhënien e betimit të tij u zotua se do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe larg ndikimit politik edhe pse një ditë më parë u zgjodh vetëm me 66 vota të shumicës. Përkundër pritjes për mbështetje më të gjerë politike, Saveski theksoi se interesi i partive nuk është interesi i tij. Ai ftoi prokurorët e tjerë në bashkëpunim për shqyrtim të lëndëve që së bashku të përmbushin pritjet e qytetarëve.
 
“Nuk ndjej ndonjë ngarkesë. Politika e partive politike, asnjëherë nuk ka qenë interesi im, as dje, as sot dhe s’do të jetë as në të ardhmen. Realiteti është ky, megjithatë për mua pa marrë parasysh se sa vota kam marrë, përgjegjësia ime e punës në të ardhmen para se gjithash varet nga parashikimet ligjore. Gjithmonë para meje kam pasur Kushtetutën, ligjet dhe standardet dhe dokumentet ndërkombëtare.”, - deklaroi kryeprokurori, Nenad Saveski. 
 
Për Saveskin secila lëndë ka rëndësinë e njëjtë, pa i dhënë ndonjërës prioritet, pasi deputetët opozitarë shqiptarë ditë më parë nga foltorja e Kuvendit kërkuan që kryeprokurori të mos jetë selektiv në trajtimin e lëndëve.
 
“Çdo lëndë ka rëndësi të njëjtë. Nuk do të bëj prioritete të lëndëve. Dihet vetëm kur ka bazë ligjore, se cilat lëndë kanë përparësi, selektimi nuk bëhet në këtë mënyrë, e as të thirrem nga dikush se si të veproj, përkundrazi ka rregullore ligjore në bazë të të cilit çdo prokuror vepron.”, - theksoi kryeprokurori, Nenad Saveski.
 
Saveski planifikon të bëjë modernizimin e Prokurorisë, digjitalizimin në procesin e drejtimit të lëndëve dhe ndjekjen e punës së çdo prokurori. Sa i takon buxhetit të Prokurorisë, Saveski pret të shohë propozim-ligjin për prokurori publike se si janë projektuar planet.  Sipas tij, Prokurorisë i nevojiten mjete financiare, që në mënyrë efikase të luftojë krimin.
 
MERAL ISMAILI