Maqedoni
Forumi për sigurinë, konflikti në Lindjen e Mesme dhe ndikimi në RMV
19.03.2026 14:32
Dinamika gjeopolitike në zhvillim pas shpërthimit të konfliktit në Lindjen e Mesme dhe ndikimin e saj në stabilitetin global...

Dinamika gjeopolitike në zhvillim pas shpërthimit të konfliktit në Lindjen e Mesme dhe ndikimin e saj në stabilitetin global, Implikimet për arkitekturën e sigurisë ndërkombëtare dhe sigurinë rajonale në Ballkanin Perëndimor, ishin vetëm disa nga temat të cilat u trajtuan nga shumë ekspertë, anëtarë të trupit diplomatik, përfaqësues të komunitetit akademik dhe shoqërisë civile në forumin publik me temën "Lufta në Iran dhe implikimet e saj për sigurinë rajonale dhe ekonominë maqedonase", të organizuar nga Instituti për Studime Ndërkombëtare, Strategjike dhe të Sigurisë "Radika". Sipas ish-zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Ivica Bocevski, RMV-ja duhet mirë t’i lexojë porositë të cilat vijnë nga fuqitë e mëdha evropiane dhe aty duhet të jemi të përqendruar.
“Mendoj se RMV-ja duhet të kthehet tek politikat e parimeve, dhe se e drejta ndërkombëtare duhet të jetë në radhë të parë dhe përkrahja e parimeve ndërkombëtare, dhe kjo politikë nuk e përjashton integrimin në BE. Në këtë drejtim, ne si shtet nuk kemi ndonjë zgjidhje tjetër. Këtë e tregon edhe shkëmbimi ynë tregtar, i cili është i fokusuar në tregun evropian dhe tjetër treg nuk kemi. Kjo duhet të jetë qëllimi ynë strategjik politik. Prandaj, edhe në aspektin politik mendoj se duhet me mirë t’i lexojmë porositë të cilat vijnë nga fuqitë e mëdha evropiane, si Parisi, Berlini dhe nga Brukseli, rreth kësaj krize, por çdoherë në kuadër të zbatimit të parimeve.”, - deklaroi ish-zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Ivica Bocevski.
Ndërsa, për Rabi Sedrak, analist i sigurisë, Maqedonia dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të duhet të koncentrohen në marrëveshjet afatgjate, të cilat nuk mund të ndryshohen varësisht nga rrethanat.
“Ne kemi nevojë për një politikë të diversifikimit të burimeve, dhe mendoj se duhet të bëhen marrëveshje afatgjate, pra atë të cilën e tha politika ruse, e cila tha se nëse bashkëpunoj me Evropën, dua të punoj në aspektin afatgjatë, edhe atë me mekanizma të cilat do të më mbrojnë varësisht nga rrethanat. Po ashtu ne duhet patjetër të rritim burimet tona të prodhimit të Energjisë Elektrike.”, - theksoi analisti i Sigurisë, Rabi Sedrak.
Ndërkohë Kiril Minovski, ish-ministër i Financave, theksoi se vendi duhet të bëjë më shumë për ta mbrojtur standardin jetësor të qytetarëve, sepse ato janë grupi më i prekur nga secila krizë globale.
“Duhet të krijohet një shtab krize, në të cilën do të ndiqen të gjitha këto zhvillime dhe do të ndërmerren masat paraprake, do të ndiqen komplikimet fiskale, por edhe komplikimet në standardin jetësor. Ne kemi mekanizma dhe bazë ligjore, me të vetmin qëllim që të mund të intervenohet qoftë përmes akcizave, qoftë përmes uljes së TVSh-së. Duhet ta dimë se efektet negative nga çdo krizë i përjeton më së shumti qytetari i thjeshtë.”, - u shpreh ish-ministri i Financave, Kiril Minovski.
Në forumin publik u diskutua edhe për rolin e fuqive të mëdha globale në formësimin e zhvillimeve në Lindjen e Mesme, pasojat ekonomike, dhe implikimet për stabilitetin ekonomik dhe mjedisin politik të Maqedonisë.
FITIM KRYEZIU
