Botë
Përshkallëzohet lufta në Lindjen e Mesme, vendet bëjnë thirrje për armëpushim të menjëhershëm
19.03.2026 14:57
Situata në Lindjen e Mesme është përshkallëzuar në mënyrë dramatike pas eliminimit të funksionarëve...

Situata në Lindjen e Mesme është përshkallëzuar në mënyrë dramatike pas eliminimit të funksionarëve të lartë iranianë dhe pas sulmit izraelit ndaj fushës së gazit në Iran të njohur si “Jugu i Parsit”. Teherani u kundërpërgjigj me goditje ndaj objekteve energjetike në gjithë Gjirin Persik, duke shkaktuar dëme të mëdha në impiantet e gazit natyror në Katar, ndërsa disa kapacitete në Abu Dhabi u ndërprenë përkohësisht.
“Bëtë një gabim të madh; sulmet e ardhshme nuk do të ndalen derisa të shkatërrohen plotësisht.”, - deklaroi zëdhënësi ushtarak iranian, Ebrahim Zolfaghari.
Presidenti amerikan Donald Tramp kërcënoi me një përgjigje të fortë ushtarake, nëse Irani sulmon përsëri Katarin.
“Nëse Katari sulmohet përsëri, ShBA-ja do të shkatërrojë masivisht të gjithë fushën e gazit “Jugu i Parsit”, me një forcë që Irani nuk e ka parë kurrë. Nuk dua të miratoj një nivel të tillë dhune, por nuk do të hezitoj të veproj.”, - theksoi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Pas këtyre sulmeve, Katari dëboi atashetë ushtarakë dhe të sigurisë iraniane, ndërsa Arabia Saudite paralajmëroi për kundërpërgjigje pas sulmeve ndaj mbretërisë gjatë një takimi ministror në Riad.
“Irani nuk beson në diplomaci dhe në vend të saj ushtron presion ndaj fqinjëve. Mbretëria nuk do të dorëzohet. Përkundrazi, ky presion do të ketë efekt të kundërt, përshkallëzimi do të përballet me përshkallëzim.”, - u shpreh ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Faisal bin Farhan.
Sulmet ndaj kapaciteteve energjetike tashmë kanë shkaktuar rritje të çmimeve të naftës dhe frikë për një krizë më të gjerë energjetike. Franca, Australia dhe vendet e Azisë Lindore bënë thirrje për ndalimin e sulmeve, duke paralajmëruar se konflikti do të ketë pasoja serioze për ekonominë globale dhe furnizimin.
“Jam thellësisht i shqetësuar për sulmet mbi infrastrukturën civile dhe energjetike, duke përfshirë edhe sulmin e fundit që ndodhi në Katar. Nuk duam që konfliktet të eskalojnë më tej.”, - deklaroi kryeministri i Australisë, Antoni Albanese.
“Vendet duhet të ndërpresin menjëherë operacionet ushtarake për të parandaluar që paqëndrueshmëria rajonale të ketë një ndikim të madh në zhvillimin ekonomik global.”, - theksoi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Zhao Lijian.
Po ashtu, përplasjet mes Izraelit dhe Hezbollahut janë intensifikuar ndjeshëm, ndërsa pranë Ngushticës së Hormuzit disa anije janë goditur përsëri nga predha të panjohura.
“Nuk besojmë se ekziston një zgjidhje ushtarake për këtë problem. U bëjmë thirrje të gjitha palëve të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm.”, - u shpreh zëvendëszëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Farhan Haq.
Thirrje për armëpushim të menjëhershëm dhe rikthim në diplomaci kanë ardhur edhe nga Vatikani, ndërsa organizatat ndërkombëtare paralajmërojnë për rrezikun e destabilizimit të mëtejshëm të rajonit.
FARIJE DAUTI BAKIU
