Maqedoni

Ligji për pirjen e duhanit, Aliu: Do të procedohet brenda një muaji

19.03.2026 15:15

Brenda një muaji pritet të miratohet ligji për mbrojtjen nga pirja e cigareve, njoftoi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu...

Brenda një muaji pritet të miratohet ligji për mbrojtjen nga pirja e cigareve, njoftoi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu. Ai vlerëson se me këtë ligj, Maqedonia do të njihet në Evropë brenda disa viteve. Tha se ligji të martën do të shqyrtohet në seancën e Qeverisë dhe më pas do të procedohet në Kuvend.
 
“Po shkoj në Qeveri, kemi edhe një institucion tjetër që duhet të kalojë, pra procedurën qeveritare. Të martën ligji do të jetë në seancë të Qeverisë, e më pas do të procedohet më tej në Kuvend. Vlerësoj se jo më shumë se një muaj, maksimumi një muaj e gjysmë, ligji do të procedohet, kështu që për momentin nuk kemi asnjë pikë që nuk është përfunduar. Kemi pasur disa takime me të gjitha palët e interesuara. Të gjitha vërejtjet i kemi analizuar si nga pikëpamja shkencore ashtu edhe nga aspekti ekonomik, infrastrukturor, social dhe shëndetësor, dhe në fund me kënaqësi mund të them se të gjitha çështjet e hapura janë mbyllur dhe nuk kemi më pyetje të lidhura me ligjin. Vlerësoj se shteti ynë do të njihet edhe në Evropë.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
 
Ministri Aliu thekson se në restorantet me tarraca që kanë të hapura dy anë, ajri qarkullon lirshëm dhe mbetet i pastër, gjë që përputhet me standardet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për sigurimin e ajrit të pastër.
 
“Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë kemi kushte të përcaktuara në mënyrë që të ketë ajër të pastër. Ne kemi bërë një analizë shkencore se si dhe cilat janë kushtet maksimale dhe minimale që një hapësirë të trajtohet si hapësirë për pirje duhani ose si hapësirë ku nuk lejohet pirja e duhanit. Kemi arritur në përfundimin, si nga ana shkencore ashtu edhe nga ekspertët e shëndetësisë, se me dy anë të hapura hapësira, përkatësisht tarracat, mund të lejojnë pirjen e duhanit, për shkak se ajri pastrohet. Por, nga ana tjetër, edhe nga pikëpamja ekonomike.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
 
Ministri gjithashtu mbetet i bindur për uljen e numrit të duhanpirësve në vend. Nga mbi 45 për qind, ai shpreson që synimi të vendoset nën 20 për qind.
 
ARMEND MURSELI