Botë

Samiti i BE-së në Bruksel, lufta me Iranin në fokus

19.03.2026 15:45

Në Bruksel sot hapet samiti i parë i rregullt i Bashkimit Evropian për këtë vit...

Në Bruksel sot hapet samiti i parë i rregullt i Bashkimit Evropian për këtë vit, por në vend të ekonomisë, në fokus është lufta me Iranin. Konflikti, edhe pse mijëra kilometra larg, tashmë po trondit tregjet dhe politikën evropiane. Udhëheqësit e vendeve anëtare përballen me një dilemë të vështirë: si të bëjnë thirrje për një përfundim të shpejtë të luftës pa u përfshirë drejtpërdrejt në të. Kërkohet një qëndrim i përbashkët, por mbetet pyetja nëse unioni mund të flasë me një zë të vetëm kur interesat nuk janë gjithmonë të njëjta.
 
“Dua të dërgojmë një sinjal të qartë se jemi të gatshëm të ndihmojmë. Por, që kjo të ndodhë, luftimet duhet të ndalen. Nëse është e mundur që Irani të heqë dorë nga programi i tij bërthamor, të ndërpresë mbështetjen për terrorizmin dhe të jetë i gatshëm të përfshihet në bisedime në ditët në vijim, atëherë po lëvizim në drejtimin e duhur, por do të vazhdojmë të përballemi me këto sfida edhe për një kohë të gjatë.”, - deklaroi kancelari i Gjermanisë, Fridrih Merz.
 
Samiti, i cili fillimisht ishte planifikuar t’i kushtohej konkurrueshmërisë, tani është fokusuar në skenarë krize. Çmimet e energjisë po rriten, duke shtuar presionin mbi ekonomitë evropiane. Po hapen diskutime për taksa të reja ndaj kompanive energjetike, si dhe për një valë të mundshme të re refugjatësh nga rajoni i Lindjes së Mesme.
 
“Është e qartë se na duhet një dalje nga kjo luftë, jo një përshkallëzim.”, - theksoi Kaja Kallas.
 
Pasiguri shtesë sjell edhe çështja e Ngushticës së Hormuzit, një pikë kyçe për furnizimin global me naftë. Nëse disa vende të BE-së do të mbështesin ndërhyrje për hapjen e saj, nuk ka përgjigje të qartë.
 
“Askush nuk mund të injorojë se po përballemi me kohë sfiduese në energji dhe kjo duhet theksuar. Konflikti aktual në Iran tregoi edhe një herë se mënyra më e mirë për një të ardhme të parashikueshme dhe të sigurt energjetike është rritja e prodhimit tonë vendor të energjisë. Ky është i vetmi mënyrë për të qenë autonomë dhe të pavarur, duke siguruar sistemin tonë energjetik.”, - u shpreh presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta.
 
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta, njoftoi se samiti mund të përfundojë brenda një dite.
 
REXHEP QAMILI